20 Maj, 2022 - 7:50 pm
Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti së bashku me Presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel, inspektuan sot punën për restaurimin e mozaikut masiv në këtë muze.
“Në Muzeun Historik Kombëtar me Presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel, ku po vijon puna për restaurimin e mozaikut masiv, duke e zëvendësuar çdo detaj të rëndësishëm të një ndër veprave më të mëdha të trashëgimisë sonë kulturore”, tha Rama.
Kryeministri Rama dhe Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel ecën përgjatë sheshit “Skënderbej”, për të cilin Kryeministri Rama tregoi se është transformuar në një infrastrukturë moderne për qytetarët.
“E kemi transformuar sheshin “Skënderbej”. Gjithë gjelbërimi që është vendosur këtu përreth, është projektuar në mënyrë të veçantë. Rrethimi me bimësi të gjelbër nuk ekzistonte më parë. Sheshi ka një pjerrtësi që ne e ribëmë sepse ishte ndryshe më parë. Është riorientuar trafiku dhe lëvizja e mjeteve, ka ndryshuar komplet koncepti”, u shpreh Kryeministri.
Ministrja Margariti tha se, në këtë shesh ka lloje të ndryshëm gurësh që janë marrë nga gjithë Shqipëria dhe lloj të ndryshme të bimësisë, është një simbol komuniteti. Ky shesh është plot me njerëz me koncerte.
“Muzeu Historik Kombëtar është një nga muzeumet më të vizituara, përpara pandemisë kishim më shumë se 100 mijë vizitorë në vit. Synojmë të kemi shumë më tepër me zbatimin e këtij projekti. Ka qenë një nga objektet më të dëmtuara nga tërmeti dhe me financimet e BE-së kemi nisur me restaurimin e mozaikut. Mozaiku është një nga veprat kryesore, pra po restaurohet në pjesët më të dëmtuara sepse ishte e rrezikshme pas tërmetit për njerëzit dhe vizitorët”, u shpreh Margariti.
“Ky ka qenë objekti i parë që kemi nisur me programin #EU4Culture. Është mbështetja më bujare që kemi patur me trashëgiminë kulturore pas tërmetit, më shumë se 40 milionë euro për rreth 40 objekte zonash që do rindërtohen. Po punojmë po kështu dhe për zbatimin e restaurimit tërësor të të gjithë muzeut sepse qysh prej vitit 81 asgjë nuk ka ndryshuar përveç disa riparimeve të vogla. Gjithashtu dhe Ministria e Kulturës është përpjekur për këtë. Këtu po punohet me copëzat e mozaikut, ka qenë punë sfiduese. Kemi gjithë stafin e UNOPS të huaj dhe shqiptar. UNOPS është agjencia ekzekutive e #EU4Culture. Ka më shumë së 120 ngjyra të ndryshme që janë identifikuar gjithsecila copëz mbas copëze dhe historia më e veçantë këtu është që kemi identifikuar dhe fabrikën ku janë marrë në ’81 e cila është në Venecia, jemi në kontakt me të njëjtën fabrikë të cilët po e riprodhojnë dhe kanë qenë të shkëlqyer pasi kanë gjetur të gjitha pjesëzat e katalogut dhe disa nga ngjyrat po përpiqen ti ribëjnë në të njëjtën mënyrë. Kështu që është sërish një tjetër bashkëpunim midis Shqipërisë dhe Evropës, në këtë rast me Italinë”, tha Margariti.
Mozaiku i fasadës së Muzeut Historik Kombëtar, sipas shënimeve, është një mozaik gjigant me dimensione 10 me 40 metra, i cili zotëron sheshin “Skënderbe”. Vepra e shtrirë në 400 metra katrorë u finalizua më 1981. Në të janë 13 figura të paraqitura në disa grupime. Majtas është grupi i luftëtarëve dhe shigjetarëve ilirë dhe shqiptarëve të luftës antiosmane. Pastaj, përfaqësohet Rilindja Kombëtare me dy figura dhe partizani fitimtar. Dy figurat simbol, punëtori dhe fshatarja, janë në qendër të sipërfaqes, kurse djathtas pesë figura simbolizojnë Luftën Nacionalçlirimtare.
Muzeu Historik u përurua më 28 tetor të vitit 1981 dhe është institucioni muzeor më i madh në Shqipëri. Zë një sipërfaqe të përgjithshme prej 27 mijë metrash dhe ka një sipërfaqe ekspozimi prej 18 mijë metrash katrorë. Ndërtesa e Muzeut dallohet për një vëllim kompakt mbi një plan kuadratik të kompozuar në mënyrë qendrore simetrike kundrejt një oborri atrium. Në mjediset e tij janë të ekspozuara 6200 objekte muzeore, të cilat i përkasin një periudhe relativisht të gjatë kohore, duke filluar nga mijëvjeçari IV para erës sonë dhe deri në gjysmën e dytë të shekullit XX. /ATSH /KultPlus.com