23 Qershor, 2022 - 4:09 pm
Sot, në nderim të jetës dhe veprës së poetit Xhevdet Bajraj dhe regjisores Vjosa Berisha, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë mbajtur një minutë heshtje.
Kjo kërkesë erdhi nga Eliza Hoxha, deputete nga radhët e PDK-së, e cila tha se me vdekjen e Vjosa Berishës, Kosova humbi një ambasadore të kulturës.
“Sot humbëm një person shumë të rëndësishëm të skenës kulturore dhe kisha pasë dëshirë që në këtë hapësirë të njohim kontributin e saj mbi 20 vjeçar në skenën kinematografike, si ambasadore kulturore e Kosovës brenda dhe jashtë saj. Dua t’i ftoj deputetët për një minutë heshtje për Vjosa Berishën”, tha Hoxha.
Në anën tjetër, Saranda Bogujevci, shtoi se duhet të nderohet edhe poeti Bajraj që vdiq dje.
“Nëse mundem ta shtoj që kemi humbur edhe poetin tonë Xhevdet Bajraj në të njëjtën kohë kështu që respekt të dy”, shtoi ajo./ KultPlus.com