25 Shtator, 2019 - 9:30 am
Në Bronks të New Yorkut në Shtetet e Bashkuara të Amerikës u hap shkolla shqipe “Alba Life”.
Themeluesit e kësaj shkolle janë Qemal dhe Kozeta Zylo, të cilët për vite me radhë kishin punuar dhe kontribuar në promovimin e vlerave shqiptare, derisa kërkesat për mësim në gjuhën shqipe rriteshin brenda dite në rajonin e Bronksit. Familja Zylo u bën ideatorë për hapjen e kësaj shkolle, si një qendër e kultivimit të vlerave shqiptare, duke mundësuar integrimin e të vegjëlve shqiptarë në kulturën vendëse, ndonëse nga larg.
Në ditën kur kjo shkollë bëri promovimin e saj, kishte mysafirë të shumtë, e një ndër pjesëmarrësit ishte edhe Ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Uashington, Floreta Luli-Faber, e cila me prezencën e saj e afirmoi qëndrimin e saj pranues për këtë iniciativë të duhur. Në mesin e stafit të kësaj shkolle shqipe është edhe Mirvete Krasniqi-Veselaj, e cila muaj më parë kishte emigruar nga Kosova në Amerikë dhe tani është pjesë e stafit të kësaj shkolle, në cilësinë e mësimdhënëses, profesion të cilin e kishte ushtruar prej vitesh në shkollën fillore të mesme të ulët “28 Nëntori” në Raushiq të Pejës. Mësimdhënësja Mirvete Krasniqi-Veselaj u shpreh tejet falënderuese, duke shpalosur planet e saj për “shtëpinë e dytë” tashmë, e cila me përvojat e saj paraprake në këtë fushë premton shumë për fëmijët që e kanë fatin të jenë nxënës në këtë shkollë.
“Jam shumë e lumtur që jam pjesë e kësaj shkolle. Ardhja ime në një vend kaq të largët më bëri skeptike për të ardhmen, por rezultati dhe vlerësimi nga ana e themeluesve të kësaj shkolle më ka mahnitur. Të jem pjesë e një kuadri kaq të përgatitur është fakt që më gëzon tej mase. Shpresoj që kontributi im të nxjerrë breza të edukuar mirë. Falënderimet e mia shkojnë për të gjithë ata që ishin mbështetës të denjë për ta gëzuar sot këtë titull”, tha ajo.
“Alba Life” hapjen e saj solemne e bëri më datë 21 shtator, pikërisht në muajin kur në çdo vend shënohet fillimi i vitit të ri shkollor. Kjo shkollë premton shumë dhe pret nxënës të rinj, duke u siguruar atyre një staf me përgatitje të mëdha.
Stafi përbehët nga themeluesit Kozeta dhe Qemal Zylo, bashkëpunëtorët Blerim Gjocaj, Arta Xhaferri dhe Majlinda Tafaj dhe mësimdhënëset Mirvete Krasniqi-Veselaj nga Peja dhe Elda Gjongeci nga Tropoja. / KultPlus.com