10 Prill, 2022 - 9:35 pm
Sot në Kino Armata është bërë promovimi i dokumentarit “Okarina e Runikut” për nder të një-vjetorit të vdekjes së kantautorit, instrumentistit dhe krijuesit të instrumenteve muzikore, Shaqir Hoti, përcjell KultPlus.
Kështilltari i ministrit të Kulturës, Liburn Jupolli, tha se Shaqir Hoti ishte një prej figurave që arriti ta ngërthente çdo element të folklorit tonë dhe ta jetësonte edhe në kohërat moderne.
“Sot jemi një vit që prej se e humbëm një prej figurave më të mëdha të trashëgimisë tonë muzikore-folklorike, është fjala për figurën e posaçme të muzikës, të ndjerit Shaqir Hoti. Njërin prej personaliteteve që përfaqësonte çdo element të muzikës tonë, që prej punës së tij me instrumente frymore-folklorike, që prej punës së tij si një prej pionierëve të flautit si njëri prej flautistëve të parë në Kosovë. Me punë shumë të zellshme me mbi 180 këngë të kompozuara, me punë të madhe, me bashkëpunime që ngërthenin një mori të bashkëpunëtorëve të të gjitha zhanreve.”, tha Jupolli
“Ai atë e bëri duke e rivitalizuar aspektin e instrumenteve tona folklorike, duke u nisur që nga viti 2010 ku ai e kthy Okarinën e Junikut duke bërë shumë ekzemplarë të këtij instrumenti dhe e bëri atë një simbol të instrumenteve folklorike-frymore të këtij vendi.”, vazhdoi ai.
Pas tij, fjalën e mori kompozitori, Valton Beqiri, i cili thotë se instrumenti muzikor “Okarina” përveç vlerave arkeologjike dhe historike, është i lidhur ngushte me jetën dhe veprën e instrumentistit Shaqir Hoti.
“Ai njihet jo vetëm si instrumentist dhe krijues, por edhe si personaliteti më i rëndësishëm i ruajtjes së traditës muzikore, përmes ndërtimit apo rindërtimit të instrumenteve frymore… Pa dyshim se njëri nga instrumentet që ai ka studiuar dhe ka punuar me pasion të veçantë është edhe Okarina. Dëshira e tij e madhe ishte që këto njohuri t’i përcjellë jo vetëm kolegëve dhe studiuesve, por në veçanti gjeneratave të reja”, thotë Beqiri i cili shton se në periudhën shtator 2019/2020, kishin organizuar nëpër disa shkolla të Kosovës punëtorinë me Shaqir Hotin, ku ai ka shpjeguar historinë e instrumentit, tingujt e instrumentit dhe bashkë me këta fëmije ka punuar prej argjilës në murin e madh të okarinave e që nga kjo periudhë datojnë edhe xhirimet në këtë dokumentar.
Pas këtij fjalimi, u promovua edhe dokumentari për Shaqir Hoti, ku paraqiste vetë instrumentistin e ndjerë duke krijuar instrumentin e Okarinës./ KultPlus.com