14 Qershor, 2023 - 10:40 pm
Katër muaj punë të pandalshme iu deshtën artistit, Dashnor Ajeti, për të sjellë tek publiku ekspozitën e parë kushtuar invalidëve civilë të luftës së fundit në Kosovë. Ekspozita ‘Në Pah ‘ është hapur ditën e sotme në Bibliotekën ‘Hivzi Sylejmani ‘ në Prishtinë, shkruan KultPlus.
Në muret e kësaj biblioteke janë të vendosura vetëm dhjetë fotografi, por që secila nga to mbart në vete me dhjetëra mesazhe. Sytë e njerëzve drejtuar nga kamera, shfaqin dhimbje e tmerr. Dhimbje këto, që lënë shenja të pashlyeshme në jetën e tyre dhe në historinë e popullit shqiptar.
Por, nga ana tjetër, këto fotografi, tregojnë më së miri rezistencën për ekzistencë, të secilit prej tyre. Kjo është edhe fuqia e fotografisë “të faktojë, pa pasur nevojë të argumentojë”.
Përkundër vuajtjeve të shkaktuara nga lufta, këta individë po përballen edhe me një problem tjetër, mungesën e fondeve për protezat e vendosura në gjymtyrët e humbura të tyre.
Dashnor Ajeti, realizues i këtyre fotografive tha se lufta për këta njerëz nuk ka përfunduar, pasi që ata mbijetojnë me shumë vështirësi.
“Këta njerëz jetojnë me stres, ankth dhe kanë probleme bazike siç janë amputimet e dorës apo të këmbës. Për tri vite, shpenzimet mbërrijnë koston deri në 6000 euro për një person të vetëm. Shpenzime për të cilat nuk ka fonde të posaqme”, shprehet Ajeti për KultPlus.
Vështrimi i personazheve në drejtim të kamerës nuk është rastësore, por detaj i mirëmenduar nga artisti Ajeti.
“Me anë të syve personazhi komunikon me publikun, duke rrëfyer për ngjarjet e përjetuara dhe për plagët që ende kullojnë”, vazhdoi ai.
Fotografitë e ekspozuara të Dashnor Ajetit janë pjesë të projekteve fituese të zhvilluara nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë. Ndërkaq, ekspozita ‘Në Pah’, do të jetë e hapur për një muaj./KultPlus.com