18 Gusht, 2020 - 8:30 pm
Në korridoret e shkollave është improvizuar ambienti për pranimin e dokumenteve të nxënësve, andaj në hyrje të korridorit dhe në secilën tavolinë janë vendosur edhe dezinfektues për duar.
Por këta dezinfektues brenda shkollës ekonomike “Ali Hadri” në Pejë, sikurse edhe në shkollat e tjera, nuk janë blerë nga Komuna, raporton KOHA.
“I kemi ble personalisht unë dhe sekretari. Shkolla s’ka buxhet, kështu edhe dikush në mënyrë vullnetare kështu për pastrim të duarve”, ka thënë Arif Ademaj, drejtor i shkollës ekonomike “Ali Hadri”.
Njëjtë tha edhe drejtori i një shkolle tjetër në Pejë.
“Na i kemi ble vetë dezinfektuesit në tavolina. Secili mësimdhënës gati personalisht e ka marrë edhe për mbrojtjen personale, edhe për mbrojtjen e përgjithshme”, u shpreh Arben Gjikolli, drejtor i shkollës teknike “Shaban Spahija”.
E as hapësirat e brendshme të shkollave, ku frekuentojnë nxënësit dhe personeli i shkollave gjatë afatit të regjistrimit, nuk janë dezinfektuar nga ndonjë kompani profesionale me mjete dezinfektuese, por nga vetë shkollat vetëm me mjete higjienike.
“Shkolla është pastru sikurse zakonisht me mjete higjienike që i kemi marr zakonisht deri më tani. Ndërsa pjesën dezinfektuese nuk e kemi pas” ka shtuar Arben Gjikolli.
Për dezinfektim të objekteve arsimore, shëndetësore e të administratës publike, si dhe për furnizim me material dezinfektues dhe mbrojtës kundër pandemi, siç tha drejtori i Financave, Jeton Abazaj janë ndarë 70 mijë euro në seancën e Kuvendit Komunal në muajin prill.
deri tash, Komuna nuk ka kontraktuar asnjë operator për këto shërbime, ndërsa, siç thotë Petrit Loci, drejtues i Shtabit Emergjent, tenderi për furnizim me material, pajisje higjienike dhe dezinfektuese për hapësira dhe instrumente është në përfundim.
“Tani më pritet që pas lidhjes së kontratës të furnizohemi dhe të bëhet pasi që jemi duke u përgatitur për mbajtjen e testit të maturës me datën 29 do të pajisen dhe do kryhet edhe dezinfektimi i atyre hapësirave ku do të hynë nxënësit për tu testuar”, ka thënë Loci.
Por, me këtë tender të kontraktuar në vlerë prej 38 mijë e 860 eurosh, që është shpallur më 17 gusht në faqen komunale të prokurimit, operatori nuk obligohet të bëjë dezinfektimin e hapësirave të objekteve publike, ndërkohë që Komuna ende nuk ka kontraktuar asnjë kompani profesionale për dezinfektim të objekteve publike.