Në periferi të Prishtinës kishte gra shqiptare që nuk dinin shkrim e lexim (FOTO)

20 Korrik, 2020 - 9:19 pm

Shoqata për Arsimimin e gruas “Motrat Qiriazi”, që ka vperuar gjatë vutëve të 90-ta, ka ndarë me ndjekësit e faqes së saj një rrëfim të Safete Rugovës, e cila tregon përvojën e saj me ballafaqimin me gratë shqiptare të cilat nuk dinin shkrim e lexim. KultPlus e sjell të plotë rrëfimin e saj.

Safetja:
“Një ditë derisa po rrinim në oborr me motrën, më tregoj se kishte shkuar në Kodrën e Trimave për të dërgue ndihma në disa shtëpi. Kur ka kërkua të nënshkruheshin në dëftesë, disa gra të reja kanë treguar se nuk dinin shkrim lexim dhe është dashur të vijë një familjar të nënshkruaj. E habitur si ka mundësi në periferi të kryeqytetit të ekzistojnë njerëz që s’dinin shkrim lexim, propozuam që të ndërmarrim një iniciativë ta sigurojmë një mësuese që të punojë me ato gra.

Ishte viti 1989, koha kur sistemi i Millosheviqit kishte rrënua çdo gjë në Kosovë duke i përjashtuar shqiptarët nga institucionet, nga fabrikat, mediat, shkollat…

Një mësuese zvicrrane (Renata Zanh, andragoge) që kishte punuar disa vite në Kosovë që ndihmonte popullin aty ku e lypte nevoja dhe kishte përvojë edhe me punën me gra, u lajmërua si vullnetare që të mësojë ato gra e vajza shkrim lexim.

Na u dashtën nja dy javë të shkonim shpi më shpi të marrim shënime. Për një kohë të shkurtër formuam tre grupe sipas afersisë së shtëpive që të ishin më afër njëra-tjetrës se më lehtë do të mund të mblidheshin për orët e mësimit.

Me që vazhdimisht përcjellnim punën e mësueses, për ti motivuar edhe më shumë gratë u premtuam se do ti vizitojnë personalitete të ndryshme. Vizitën e parë ua bëri Sanije Gashi, atëbotë redaktore e revistës Kosovarja, e cila do të bënte një reportazh për revistën. Pastaj do të shkojnë me radhë veteranët e arsimit si mësuese Nadire Dida, mësuesi dhe pedagogu i palodhur Mehmet Gjevori. Pastaj mësuesja e re Igballe Rexha. Pas përpjekjeve e dëshirës për të mësuar, për gjashtë muaj do të kryhet kursi i parë. Gëzimi në fytyrat e grave dhe vajzave ishte i papërshkrueshëm kur morën dëftesat që kishin mbarue me sukses kursin.

Reportazhi i Kosovares bëri jehonë, kështu që filluan kurse për mësim shkrim lexim në disa fshatra e qytete. Në Viti kishte filluar kursin Zymrie Saliu, në Koreticë mësuesja e palodhur Gjylije Ramizi.
Situata politike po rëndohej gjithnjë e më shumë por nuk mungonin iniciativat për ta mbajtur gjallë popullatën. Aksioni popullor për pajtimin e gjaqeve po bashkonte popullin për një bashkim kombëtar. Mësues e arsimtarë kishin marrë qëndrim ti shëndrronin shtëpitë në shkolla që mos tu ndërpritej fëmijëve mësimi. Gazetarët kishin improvizuar studio private për të informuar popullatën për situatën gjithënjë e më të rënduar.

1990 ishte viti kundër analfabetizmit në botë dhe si në çdo shtet në kriza lufte edhe shumë fëmijë kishin mbetur me gjysmë shkollimi, sidomos në zona rurale që ishte më e vështirë të udhëtohej. Duke pasur shembull dy mësueset Sevasti e Parashqevi Qiriazi që kishin hapur shkollën e parë shqipe të vashave në Korçë me 1891, menduam të themelonim një shoqatë me emrin e tyre “Motrat Qiriazi”, e cila do të kishte për mision zhdukjen e analfabetizmit në Kosovë.”/KultPlus.com

Të ngjajshme