12 Dhjetor, 2024 - 3:52 pm
Disa orë përpara se të ngrihet sipari i produksionit të ri të “Lucia di Lammermoor”, në Teatrin Kombëtar të Operas e Baletit u mbajt një konferencë për mediet.
Në panel ishin të pranishëm: drejtoresha e përgjithshme e TKOBAP, Abigeila Voshtina, drejtori artistik dhe dirigjenti i operës, Jacopo Sipari di Pescasseroli, regjisorja Ada Gurra, dirigjenti i korit të TKOB, Dritan Lumshi si dhe këngëtarët protagonistë Jessica Pratt e Raffaele Abete.
Gjithashtu, në konferencë qenë të pranishëm solistët e talentuar të TKOBAP-së që marrin pjesë në këtë vepër: Ramona Tullumani, Ulpiana Aliaj, Armando Likaj, Artur Vera etj.
Opera madhështore e Donizetti-t është e bazuar në një ngjarje të vërtetë që skandalizoi Skocinë e shekullit të 17-të. Kjo histori nisi si roman nga sir Walter Scott, botuar në vitin 1819. Ishin Gaetano Donizetti dhe Salvadore Cammarano, dy nga yjet më të shndritshëm të operës italiane, ata që, në vitin 1835 i dhanë Lucias zërin e saj të pavdekshëm.
Dashuri, vrasje, çmenduri dhe një fustan i gjakosur. Për më shumë se 200 vjet, historia tronditëse e “Lucia di Lammermoor” ka bërë audiencën të dridhet nga emocionet. Ajo do të vijë sonte në TKOB pas 16 vitesh mungesë./atsh/KultPlus.com