8 Prill, 2025 - 6:10 pm
Seminari kërkimor ”Lumbardhi 101: Si të jetojmë në botën e lumit?”, do të mbahet më 11 dhe 12 prill në Kino Lumbardhi në Prizren.
Lumbardhi 101 është një seminar hulumtues me fokus në lumin Lumbardhi, një aspekt jetëdhënës, dinamik, por shpesh i mënjanuar i qytetit të Prizrenit, transmeton klankosova.tv.
Ky seminar formësohet prej disa takimeve lidhur me çështje të ekologjisë, të ndërtuarit e institucioneve dhe procese gjuhësore të cilat janë elaboruar në harkun e një viti përmes bisedave me hulumtues, artistë, profesionistë, praktikues kulturorë.
Duke bashkuar mendimtarë dhe praktikues nga fusha të tilla si ekologjia, antropologjia, ekolinguistika, arkitektura, urbanizmi dhe artet, ai synon të grumbullojë dhe shkëmbejë njohuri, të ndajë gjetjet fillestare të kërkimeve të reja, të eksplorojë perspektivat e trashëgimisë ujore, infrastrukturës, biologjisë, gjuhës dhe jetës urbane për të frymëzuar mënyra të reja të të menduarit dhe të jetuarit me lumin.
Përmes kërkimit, dialogut dhe përvojave të përbashkëta, seminari synon të rilidhë banorët dhe sendet me ujërat e Lumbardhit dhe të imagjinojë të ardhmen e tij të mundshme.