Në Qafë Thanë “Një ndalesë, një kontroll” 

31 Korrik, 2023 - 6:00 pm

Në kufirin e Qafë Thanës mes Shqipërisë dhe Maqedonisë hyri në fuqi programi i ri “Një ndalesë – Një kontroll”, duke lehtësuar qarkullimin e njerëzve dhe mallrave me procedura shumë të thjeshtuar.
Tanimë të gjithë qytetarët dhe tregtarët e dy vendeve do të kenë vetëm një ndalesë në këtë pikë kufitare ku do të ketë përfaqësues të të dy ministrive të brendshme.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski tha se kjo u ka munguar këtyre dy shteteve për më shumë se një shekull.

“Gjysmë shekulli i ka munguar Shqipërisë dhe në atë kohë Maqedonisë, megjithatë gjithçka mbetet në të kaluarën dhe sot ne japim shembull se si duhet të sillen dy shtete fqinje. Me këtë lehtësohet puna e 11 mijë kompanive nga shteti jonë të cilat janë të orientuara në transportin dhe tregtinë me shtetet tjera dhe në këtë mënyrë ju sigurojmë arritje më të lehtë deri në Shqipëri dhe në këtë mënyrë sigurojmë kalim më të lehtë deri në vendet turistike të Shqipërisë”, tha Kovaçevski.

Gjatë gjysmës së parë të këtij viti në këtë pikë kufitare kanë lëvizur mbi 770 mijë shtetas dhe mbi 352 mijë automjete tha kryeministri Shqiptar Edi Rama. Sipas tij vetëm një ndalesë në këtë pikë kufitare do të jetë më e favorshme për të gjithë.

“Unë dua shumë të shpresoj që të dyja ministritë e brendshme do të kalojnë në një tjetër nivel në këtë periudhë piku të sezonit dhe në të gjitha sezonet e tjera verore për të bërë kalimin pa kontroll apo më saktë me kontroll të rastësishëm të makinave të targetuara Republika e Shqipërisë dhe RMV në mënyrë që edhe më shumë të lehtësohet qarkullimi”, tha Rama.

Zv/ kryeministri Artan Grubi e quajti ditë të madhe në kapitullin e dy shteteve, si një thyerje të barrierës mes dy shteteve dhe lehtësimin e lëvizjeve për të gjithë.

“Kryeministër nuk ka gjë më të bukur se bashkimi dhe këtë sot po e realizojmë bashkërisht dhe vërtet më bënë shumë të lumtur ka disa ditë që ky kalim kufitar po funksionon tash më dhe qytetarë të dy vendeve tona po më shkruajnë po më thërrasin në telefon nga kënaqësia kur e përjetojnë që nuk ka kufi midis nesh që tash më ka vetëm një kontroll”, u shpreh Grubi.

One Stop Shop erdhi si projekt i Ballkanit të hapur me qëllim të lehtësimit dhe evitimit të pritjeve të gjata nëpër pikat kufitare të shteteve fqinje ballkanike.

Të ngjajshme