12 Janar, 2024 - 4:00 pm
Në Queens të Nju-Jorkut është hapur shkolla “Fol Shqip”.
Mbi 60 fëmijë të regjistuar nga mosha 4 deri në 21 vjeç shfaqën interes për të mësuar dhe përvetësuar gjuhën shqipe. Iniciativën për këtë nismë e mori “Shoqata Besi”, e cila shërben si qendër kulturore dhe mbështetëse për komunitetin shqiptar me origjinë nga fshati Besa në Mal të Zi, shkruan albinfo.ch.
Për të ruajtur traditën dhe kulturën, përveç orëve të mësimit të shqipes – “Shkolla Fol Shqip” ofron edhe klasat e kërcimit, ku fëmijët shqiptarë mësojnë të kërcejnë vallet e njohura shqiptare.
Kurrikula e shkollës, e përqendruar në gjuhën shqipe dhe vallet tradicionale, synon të lidhë brezat e rinj të shqiptarëve në New York me trashëgiminë e tyre. Këto klasa nuk janë vetëm për mësimin; ato janë për të përjetuar dhe ruajtur një trashëgimi kulturore të pasur, duke nxitur një ndjenjë identiteti dhe bashkësisë midis të rinjve shqiptarë në diasporë. / KultPlus.com