Ne, refugjatët – një pranverë në Shkup

25 Mars, 2022 - 11:00 am

Rrëfim personal  i Nerimane Kamberit të publikuar në portalin frankofon “Le Courrier des Balkans” me rastin e 20 vjetorit të luftës në Kosovë.

Fundi i ditës, dal nga kampi për t’u kthyer në shtëpinë ku po jetojmë në lartësitë e Shkupit, te Kalaja. Ne jemi ndër fatlumët, nëse mund të flasim për fat në këto rrethana. Po, mund të flasim për fat. U larguam nga  Kosova, nga Prishtina, nga lagjja jonë, Dardania, në kohën e duhur.  Ikëm nga lufta në ditën e katërt të bombardimeve. Para eksodit masiv të fillim prillit 1999. Me veturë, sigurisht jo me tonën që nuk donte të nisej, por me veturë dhe jo të shtyrë drejt trenave nga forcat serbe. Ia dhamë 500 marka paramilitarëve me maska për të vazhduar rrugën. Dhe e kaluam kufirin e Maqedonisë me pasaporta. Si qytetarë “normalë”. Por ne nuk ishim qytetarë normalë, dhe nuk ishte një muaj mars normal, ishte luftë dhe ne ishim refugjatë. Në hotelin ku na vendosën përkohësisht miqtë tanë, filluam të qajmë.

Ata vinin me tren, me vetura. Me dhjetëra, me qindra, grumbulloheshin në kampin e Bllacës, në kufirin maqedon. Kampi i turpit. Kujtesa ime i ka errësuar këto imazhe, vetëm fotot më kujtojnë “skenat në të cilat nuk do të donim të ishim të pranishëm nga frika se kurrë nuk do të mundemi t’ia fshijmë kujtimin e dhimbshëm”, siç theksoi në atë kohë një gazetar nga e përditshmja zvicerane Le Temps.  Njerëz të ndershëm, njerëz të thjeshtë, familje dikur të lumtura, nëpunës civilë të kryeqytetit, gra nga katundi, fëmijë të kequshqyer sepse veçse të zhvendosur  me muaj në Kosovë, fqinjët, fqinjët e mi. Sot zgjasin duart, kërkojnë bukë.

Njerëzimi? Një polic me dorëza të zeza  lëkure shënon një numër regjistrimi në dorën e një refugjati. Policët me maska ​​mbi gojë ruajnë kampin, a po mbrohen nga era e keqe, nga sëmundjet? Kampi i Bllacës ishte ferr në ditët e para të eksodit. Dinjiteti njerëzor përbuzet, poshtërohet, shkelet, shtypet.  Një kameraman që punoi në prill 1999 për UNHCR-në më kujtoi kohët e fundit se si kampi i Bllacës ishte shndërruar shpejt në një vend  “të denjë”, me ndihmën e OJQ-ve dhe të ushtrisë. Kampi u zbraz më vonë brenda një natë të vetme, kur autoritetet maqedonase vendosën, pa i pyetur refugjatët, t’i përzejnë këta të padëshiruar, këta të paprekshëmit, për t’i dërguar në katër anët e botës falë konvojeve “humanitare”.

Jemi me fat, jetojmë në një shtëpi, edhe pse na është dashur të lëmë tonën, dhe ta marrim me qira këtë në lartësitë e Shkupit. Punojmë në kampe, por në mbrëmje kthehemi në shpi, shpi që nuk është e jona, jemi refugjatë.

REFUGJatE DHE HUMANITARE

Ndihma humanitare është organizuar. Punoj për organizatën franceze Mjekët e Botës (Médecins du Monde), më konkretisht jam përgjegjëse për të drejtat e njeriut”. Puna ime është të mbledh dëshmi nga njerëzit që vijnë nga Kosova dhe nga ata që jetojnë në tendat në kampet. Bëj raporte. Përkthej, ndihmoj mjekët, gjej bukë, (një ditë, në Bllacë, shoh një nënë që mban për dore vajzën e saj trevjeçare, e cila i ka hundë të përgjakur, çka ka, e godita. Pse? Po më lyp bukë. Mos kishte harruar se nuk ishte më në mal, tu u fsheh, se nuk ikte më ? Vij e shkoj  nga kampi i Bllacës deri në kufi, ku kam të drejtë të hyj në no man’s land, në zonën neutrale, të marrë refugjatët më të dobët, të plagosurit. Nuk do ta harroj kurrë këtë pamje të një gjyshi në kolicë bahçeje, me këmbë të thyer, as autobusin që kishte shkarkuar 36 robërit e parë të luftës, kokën e rruar, trupin të mavijosur nga rrahjet dhe torturat, që nuk kishin asnjë lajm për familjen e tyre  dhe për të cilët as familje nuk kishte lajm. Mjeku ynë i kontrollon, unë bëj pyetje, bëj raport.

Në Stankovec fillimisht nuk kishte telefona. Gjatë xhirove nëpër kamp, unë shënoj numra, pastaj nga baza e thirri një djalë, një kushëri, një babë,  në Danimarkë, në Irlandë, në Shtetet e Bashkuara, për t’ia dhënë lajmin e mirë, se nana, vajza, kushëriri, i tyre, është gjallë. Bërtime, vaj,  falënderime në telefon, shpërthime emocionesh, të padurueshme janë kaq të forta. (Djemtë e kishin gjetur nënën e tyre përmes një fotografie të Hazirit që u botua në një të përditshme daneze, atë e kërkuam të nesërmen në të gjithë kampin, por  ishte dërguar në Turqi).

Të gjitha mediat botërore janë në Shkup, me kolegë në Kukës, në Shqipëri. Ata tregojnë për tragjedinë e kosovarëve, krizën e refugjatëve, duke ia lënë çështjet ushtarake dhe vendimet politike kryeqyteteve evropiane dhe NATO-s.  VIP-a, personalitete sportive, Klinton, të gjithë janë këtu, ku askush nuk dëshiron të jetë.

Ndalgadalë jeta në Stankovec organizohet, ashtu  si në Çegran. Telefonat satelitorë i lidhin refugjatët me familjet e tyre, spitali gjerman ofron kujdes të mirë (një grua shtatzënë nga kampi i Bllacës do të lindë fëmijën e saj në xhipin e Médecins du Monde, mjeku maqedon nuk e lejoi të largohet nga kampi pa një polic të armatosur në bord). OJQ-të bëjnë më të mirën, humanitarët shkojnë nëpër tenda, duke ofruar kujdes, fjalë qetësuese, etj.

Shefat tanë  kërkuan të vishnim rroba serioze, për respekt për refugjatët. A kisha nevojë për këtë këshillë, duke qenë vetë refugjat dhe duke pasur përballë njerëzit e mi, njerëz si unë? Jelekët tanë humanitar na djersitin, ishte kaq vapë në Shkup në ato muaj pranvere të vitit 1999, pluhuri na ngitej në lëkurë, por i mbanim për t’u treguar refugjatëve se ishim aty për t’i ndihmuar, për të dëgjuar rrëfimet e tyre, dokumentojnë dëshmitë e tyre. Si ajo e asaj vajzës së re nga Drenica e cila i tregoi një avokati nga Federata Ndërkombëtare e Drejtave të Njeriut (FIDH) se si e kishin dhunuar serbët. Babai i saj ishte fshehur lart, i kishte dëgjuar të gjitha. Më vinte me vjell.  S’doja me qajt, por kjo më vinte  automatikisht.

Kampet janë të mbipopulluar, qoftë ai i Stankovecit apo ai i Brezdës, në prill por edhe në fund të majit. Refugjatët rreshtohen me bidonet e tyre të plastikes për të mbushur ujë, ata rreshtohen për të hyrë në tualetet, të paktë për gjithë këta njerëz, rreshtohen për të përdorur telefonat satelitorë. Në shatore është vapë, shumë vapë, disa shtrihen në dyshekë të improvizuar, të tjerë bëjnë muhabet “në pragun e derës”, po ekalojnë kohën, që nuk po kalon, që nuk mbaron kurrë së zgjaturi. Shumë nga këta refugjatë presin të dëgjojnë emrat e tyre dhe ata të vendeve të gatshme për t’i pritur. Të tjerët presin lajme nga familjarët. Kanë shkuar në Shqipëri, kanë qëndruar në Kosovë, janë gjallë apo kanë vdekur?

Kur largohemi nga kampi në fund të ditës, dera mbyllet pas nesh, shkojmë në shtëpi ku vjehrri  na pret që t’i tregojmë për dramën, kaosin, tragjedinë, lojërat e fëmijëve në një teren futbolli të improvizuar në kamp, ​​gra me shami në krye, pleq me plis. Ai e di që herëdokurdo t’i tregojmë për anëtarë të familjes sonë, edhe ata do të kenë mbërri me një mijë vështirësi në kufi, pasi  të kenë ikur nga Ferizaji dhe fshatrat e tij. Nesër ai do t’u sjellë çaj dhe qygyma, një brisk  rroje dhe zhileta, sapun. Por vetëm deri te telat. Hyrje e ndaluar. Dhe dalje e ndaluar,  për refugjatët.

Bashkëshortin tim e nxe gjumi në fotele, me këpucët e terenit në këmbë, i rraskapitur fizikisht, i rraskapitur emocionalisht. Unë kujdesem për Bindin, katër vjeç, i cili ka filluar të flasë me theksin e Kaçanikut, theksin e shokut të tij përballë, refugjat nga ky qytet. Ne jemi një familje e lumtur refugjatësh, të lumtur që nuk jemi mbrapa telave.  Të lumtur sidomos që jemi gjallë./ KultPlus.com

Foto: Hazir Reka

Të ngjajshme