25 Prill, 2025 - 9:04 am
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit bëri të ditur se po vijojnë punimet për restaurimin e shtëpisë së lindjes së aktorit të mirënjohur Aleksandër Moisiu. Shtëpia ku Moisiu ka lindur është shpallur Monument Kulture, Kategoria I. Ndërtesa u dëmtua nga tërmeti i vitit 2019.
Ministri Blendi Gonxhja tha se, ndërhyrja po realizohet nga UNOPS me fondet e BE, në kuadër të programit EU4Culture, dhe përfshin restaurimin e fasadës, ruajtjen e elementeve autentikë dhe rikonstruksionin e pjesëve të dëmtuara.
“Së shpejti, Durrësi do të fitojë një tjetër atraksion turistik që nderon trashëgiminë tonë kulturore”, shkroi Gonxhja në rrjetet sociale.
Aleksandër Moisiu e kaloi fëmijërinë e tij mes Triestes, Durrësit dhe Gracit.
Ai u vendos në Vjenë në moshën 20-vjeçare. Në skenën gjermanishtfolëse do të mishëronte mjeshtërisht role kryesore të një spektri të gjerë të veprave të letërsisë europiane, duke nisur që prej tragjedive antike greke, deri në bashkëkohësi. Moisiu do mund të depërtonte edhe në zhanrin e kinematografisë, ku përgjatë viteve 1910-1935, mori pjesë në 10 produksione filmash, 8 prej të cilëve ishin pa zë./atsh/KultPlus.com