15 Tetor, 2023 - 12:00 pm
Shkolla e Shërbimit Publik e Universitetit të Arkansasit ‘Clinton’ në SHBA do të organizojë një konferencë në 25-vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë.
Kjo konferencë do të sjellë së bashku praktikues, politikëbërës dhe studiues për të reflektuar mbi mësimet e ndërhyrjes humanitare në Kosovë dhe zhvillimet në 25 vitet e fundit që ofrojnë sfida dhe mundësi për demokraci, paqe dhe siguri jo vetëm në Evropën Juglindore, por në mbarë globin.
Christina Standerfer nga Universiteti i Arkansasit tha për RTKlive se qëllimi i konferencës do të fokusohet në zhvillimet e 25 viteve të fundit që ofrojnë sfida dhe mundësi për demokracinë, paqen dhe sigurinë jo vetëm në Evropën Juglindore, por në mbarë globin.
“Qëllimi i konferencës është të bashkojë praktikuesit, politikëbërësit dhe studiuesit për t’u bashkuar në biseda dhe aktivitete që kanë mbi të gjitha natyrë praktike; ku paraqiten dhe diskutohen ide të guximshme dhe shfaqen strategji bashkëpunimi novatore për promovimin e të drejtave të njeriut, ndërtimin e paqes dhe përparimin e demokracisë. Ne planifikojmë gjithashtu një botim përmbledhës të ideve dhe planeve të veprimit të krijuara në konferencë, që të tjerët ta marrin parasysh ndërsa ndjekin demokracinë, sigurinë, paqen dhe punën humanitare”, tha ajo për RTKlive.
Standerfer bëri me dije se planifikohet të ftohen edhe përfaqësues nga Kosova si dhe aktorë të tjerë në konferencë.
“Deri më tani, lista përfundimtare e folësve nuk është përcaktuar”, tha ajo. Konferenca do të mbahet nga 26 mars deri më 28 mars 2024.
Ndryshe parashikohet edhe të ketë debate dhe aktivitete që kanë natyrë praktike, në të cilat praktikuesit, politikëbërësit dhe studiuesit e demokracisë prezantojnë, diskutojnë dhe debatojnë veprime të guximshme për promovimin e të drejtave të njeriut, ndërtimin e paqes dhe përparimin e demokracisë në botë, bazuar në mësimet e Kosovës, gjenocidit dhe shkeljes së të drejtave të njeriut./rtk/KultPlus.com