11 Tetor, 2024 - 12:47 pm
Aktiviteti i letrar Ora e Shkrimtarit, i katërti me radhë, u mbajt të enjten në SHFMU “Hasan Prishtina” në Prishtinë. Poetja, studiuesja dhe profesoresha e letërsisë shqipe, Dije Demiri Frangu, u takua me nxënësit dhe mësimdhënësit e kësaj shkolle, me ç’rast shpalosi përvojën e saj krijuese në fushën e letërsisë për fëmijë dhe për të rritur, pastaj foli për shumë fenomene letrare dhe estetike, të ndërlidhura me frymëzimin krijues, me idetë, temat, motivet e veprave të caktuara letrare, të cilat e pasurojnë mendjen e njeriut dhe hapin horizontin e dijes.
Përvoja e saj e gjatë në fushën e edukimit si mësimdhënëse e letërsisë për fëmijë në Fakultetin e Filologjisë të Universitetin e Prishtinës, ishte një rast i mirë dhe tejet i veçantë për nxënësit e kësaj shkolle që të dëgjonin për gjëra të reja e të panjohura nga një poete e njohur, e cila bashkëbisedimin e saj e orientoi në disa drejtime, kryesisht përmes pyetjeve të ndërlidhura me botën e librit, se cilët librat pëlqehen më së shumti, pastaj pse shkruhen librat, si shkruhen, pse duhet të lexojmë etj.
Në vazhdim të bashkëbisedimit me nxënës, Dije Demiri Frangu, bëri një përshkrim të veçorive të artit letrar, duke thënë se: “Letërsia na ndihmon ta kuptojmë njeriun dhe tërë njerëzimin nëpër epoka dhe hapësira të ndryshme. Pra, na jep dije, emocion, edukim, argëtim. Letërsia na ndihmon ta krijojmë, para se gjithash, ta kuptojmë të bukurën. Veprat e bukura ndikojnë në ndërtimin e njeriut të bukur shpirtërisht, për të bërë edhe një jetë e një botë më të bukur, më të lehtë për të jetuar në të, me një harmoni e lumturi”, duke shtuar se: “Një vepër e mrekullueshme arti, cilido qoftë mund të ndikojë te një person, mund ta bëjë atë më të sjellshëm, më të pastër, të ndershëm dhe empatik”.
Duke marrë mjaft shembuj nga përvoja e saj, por edhe nga përvoja e shkrimtarëve të letërsisë shqipe dhe të letërsisë botërore, të cilët kanë shkruar vepra të rëndësishme letrare në periudha të ndryshme, poetja tha: “Bota dhe jeta pa art do të ishte më e ashpër, më e vrazhdë dhe më pak empatike. Është fat që mund të krijojmë e të lexojmë”.
Në vijim të bashkëbisedimit me nxënësit, Dije Demiri Frangu, përmendi leximin emocional e kritik, pastaj shkaqet pse leximi eliminon stresin dhe e forcon përqendrimin, si e pasuron fjalorin dhe si ndikon në rrjedhshmërinë e të folurit.
Në fund të takimit letrar me nxënësit poetes iu bënë pyetje të ndryshme si, kur ke kuptuar se mund të bëhesh shkrimtare?, cili libër dhe autor iu pëlqen më së shumti, a jeni e lumtur që jeni poete?
Në një atmosferë mjaft të bukur, në fund të Orës u lexuan disa poezi nga poetja Dije Demiri Frangu dhe nga nxënësit e kësaj shkolle.
Projekti Ora e Shkrimtarit, është përkrahur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës./KultPlus.com