7 Nëntor, 2019 - 4:27 pm
Ambasada e Kosovës në Stokholm organizoi pritje me qëllim të thellimit të rrjetit bashkëpunues ku ishin të ftuar deputetët e grupit parlamentar të miqësisë Kosovë-Suedi, deputetë nga komisionet parlamentare për kulturë, drejtësi dhe BE.
Gjithashtu në këtë eveniment morën pjesë edhe përfaqësues të institucioneve suedeze si dhe organizatave ndërkombëtare të cilat kanë projekte të ndryshme në Kosovë. Në fjalën e saj të rastit, ambasadorja Geci-Sherifi falënderoi të pranishmit për bashkëpunim dhe potencoi nevojën për të vazhduar dhe intensifikuar përkrahjen për Kosovën.
Mbrëmja përveç rrjetizimit dhe shkëmbimit të informacioneve, pati edhe një komponentë artistike, në ambientet e ambasadës ishin ekspozuar pikturat e ish diplomatit britanez, Jeremy Lindstone, të gjitha me motive nga Kosova të cilat ambasadorja Geci Sherifi i prezantoi si “Bukuritë e Kosovës parë nga një sy i huaj”.
Para mysafirëve me këngën e bukur patriotike suedeze “Värmlands Visan” dhe këngën mahnitëse shqipe qindra vjeçare “Moj e bukura More” u paraqit sopranoja e shkëlqyer kosovare që jeton dhe vepron në Stokholm, Albina Isufi. /KultPlus.com