16 Shkurt, 2024 - 7:15 pm
Mbrëmë në Institutin Bulevard në Tiranë në kuadër të programit Lule Kosova, festa e 16-vjetorit të pavarësisë së Kosovës, u performua live pjesa muzikore dhe poetike ‘Sonte i nderojmë veç ata që ndryshuan’ krijuar nga artistja Eljesa Beka dhe kuruar nga Rina Meta.
Përmes performances së saj muzikore, artistja Eljesa Beka iu referua momentit historik të pavarëisë së Kosovës si një mundësi për ta parë atë me sy të ri, për të krijuar një lidhje të re, intime dhe të sinqertë me të dhe për ti dhuruar një material personal poezisë, melodish, peizazhe tingullore, mesazhe zanore, dhembshuri dhe fragmente romancash të jetuara.
Duke komentuar në krijimin e pjesës muzikore që u prezentua si punë qendrore në perfromancën e Lule Kosovës, artistja Beka tha: ‘Krijimi i veprës që përformova sonte në Tiranë është homazh për të gjitha liritë dhe procesin e çlirimit të të gjithë njerëzve në Kosovë dhe kudo në botë. Në këtë pjesë përfshihen pjesë zanore të huazuara nga net të vona me shokë ose në vetmi, këmbana, zhurma ambientale, elemente të muzikës dhe flutave shqiptare si dhe poezi”.
“Përmes kësaj pjese muzikore dhe performance kam synuar të prezantoj një ritual zanor qe përfaqëson një cikël të dashurisë në humbje dhe rifitim të përhershëm duke krijuar kështu edhe një portret të një ambienti queer”
Performanca ‘Sonte i nderojmë veç ata që ndryshuan’, e merr titullin nga poezia ‘Good Grief’ e artistes Eljesa Beka dhe shënon të parën e një cikli ndërhyrjesh planifikuar të ndodhin në Prishtinë e Tiranë.
Lule Kosova është një program i Bulevard, i cili përkon me javën e Pavarësisë së Kosovës, ku artistë kuratorë, dhe botues, ftohen për të kremtuar të përbashkëtat dhe lirinë dhe format e ndryshme të shprehjes së dashurisë, mendimeve dhe gjuhës. Përmes programeve vjetore që trajtojnë tema të pavarësisë, ‘Lule Kosova’ synon të ndërtojë lidhje të qëndrueshme midis institucioneve, profesionistëve të kulturës dhe artistëve nga Kosova e Shqipëria./KultPlus.com