26 Gusht, 2019 - 5:03 pm
Mjafton t’i kujtosh emrin dhe njerëzit nga e gjithë bota do të dinë saktësisht se për kë po flasim. Çfarë ishte kaq e jashtëzakonshme në lidhje me këtë “shenjtore të lagjeve të varfra?”. E njëjta grua që kaloi pjesën më të madhe të ditës së saj, duke pastruar plagët e “më të varfërve të të varfërve” shihet gjithashtu në foto të panumërta me koka shtetesh. Pas vdekjes së saj, kur u mblodhën letrat dhe letërkëmbimet private, shumë u tronditën kur mësuan për betejën e saj me errësirën shpirtërore. Si mund nderohet dikush si një shenjtor e të mos e ndiejë praninë e Zotit për një periudhë të gjatë të jetës? Nënë Tereza duket se i ka parashikuar këto pyetje: “Nëse ndonjëherë bëhem shenjtore – me siguri do të jem një nga “errësira”. Unë vazhdimisht do të mungoj nga Parajsa – për të ndezur dritën e atyre që janë në errësirë në tokë”
Nënë Tereza, të cilën shumica e njohin si “Shenjtorja e Kalkutës”, ikona e dhembshurisë për më të varfërit e të varfërve dhe një nga udhëheqësit më të mëdhenj shpirtërorë në historinë moderne vdiq në 1997. Ajo u shpall shenjtërore nga Kisha Katolike Romake në 2003.
Si sot 109 vite më parë lindi në Shkup nga prindër shqiptarë, Nikollë dhe Drane Bojaxhiu, Nënë Tereza, fëmija i vogël i familjes. Babai i vdiq kur ishte 8-vjeç, më pas jeta për të u bë më e vështirë. Ishte e besimit katolik dhe që e vogël merrte pjesë në meshat fetare. Në moshën 18-vjeçare shkoi në Londër dhe hyri në Institutin “Motrat e Loretos”, ku mori emrin Mari Tereza. Aty jetoi për 20 vjet duke punuar si mësuese.
Anjezë Gonxhe Bojaxhiu u bë qytetarja e botës, e popujve, feve dhe e qytetërimeve. Ajo hyri në zemrën e njerëzve, sepse më parë u kishte bërë vend atyre në prehrin e përkujdesjes. Ajo besoi te mëshira, bujaria dhe dashuria, sepse në themel të veprës së kësaj bamirëseje qëndron kjo trini. Sepse gjithçka që duhet për të ndryshuar jetën e të sëmurëve, të braktisurve, të përvuajturve, të nëpërkëmburve, të rrënuarve, është t’i gjendesh pranë. Ata janë kaq shumë dhe kanë nevojë kaq pak… dashuri, përkujdesje, besim.
Në vitin 1946 shkoi në Indi, ku qëndroi deri në fund të jetës së saj. Aty themeloi misionin e saj të ri dhe gjatë gjithë jetës u shërbeu të varfërve dhe të sëmurëve të rrugës, për të cilët kujdesej me përkushtim. Nënë Tereza hapi shtëpi misionare në të gjithë planetin, gjithashtu edhe në vendet komuniste para viteve 1990.
Tereza ishte nënë kujdestare e 8000 fëmijëve në 60 shtete, ishte nënë që mjekonte 960.000 të sëmurë në 213 dispanseri, ishte e vetmja në botë që trajtonte 47.000 viktima të lebrozës në 54 klinika, kujdesej për 3400 pleq të braktisur e të lënë rrugëve në 20 shtëpi pleqsh, kishte birësuar 160 fëmijë ilegjitimë binjakë. Këto janë shifra të viteve 1980.
Shtëpinë e Nënë Terezës e kanë vizituar personalitete, si mbretëresha e Britanisë, ish-presidentët e Shteteve të Bashkuara Xhorxh Bush, Xhimi Karter etj. Në titujt që i janë dhënë Nënë Terezës përmendim: “Pamada Shir”, “Gjoni XXIII” për Paqe, të cilën ia dorëzoi personalisht Papa Pali VI, “Samaritani i mirë” në Boston, “Shpërblimi Ndërkombëtar” nga Xhon Kenedi në Uashington, “Nëna e të gjithë nënave” Balzani, “Medaljen e Lirisë” shpërblimi më i lartë amerikan nga Ronald Regan, “Medaljen e paqes” shpërblimi më i lartë i Rusisë etj. Në çastin e marrjes së çmimit “NOBEL” më 1979, kur një nga klerikët pjesëmarrës në sallë e pyeti Nënë Terezën se nga ishte, ajo deklaroi: “Kam lindur në Shkup, jam shkolluar në Londër, jetoj në Kalkuta dhe punoj për gjithë njerëzit e varfër në botë. Atdheu im është një vend i vogël me emrin Shqipëri”. Kur morri çmimin “Nobel”, amerikanët i ofruan nënshtetësinë amerikane dhe pasaportën, por ajo nuk e pranoi.
Nënë Tereza fliste rrjedhshëm pesë gjuhë: anglisht, gjuhën indiane, bengale, shqipen dhe serbishten./konica.al/KultPlus.com