15 Mars, 2024 - 7:00 pm
Është nënshkruar memorandum bashkëpunimi mes Ministrisë së Kulturës dhe Komunës së Prizrenit, qëllimi i të cilit është sigurimi, ruajtja, funksionalizimi dhe zhvillimin i qëndrueshëm i aseteve të trashëgimisë kulturore dhe institucioneve publike kulturore në Prizren.
Bëhet fjalë për gjashtë asete me rëndësi dhe vlera të veçanta të trashëgimisë jo vetëm të qytetit të Prizrenit por edhe të Kosovës, si: muzeu i “Nënë Terezës”, kinemaja e parë, konsullata Austro-Hungareze, Lokaliteti Arkeologjik në sheshin Adem Jashari, shtëpia e Musa Shehzades dhe Shtëpia e Kulturës.
Kjo marrëveshje në veçanti koordinon veprimet për zhvillimin, mirëmbajtjen dhe menaxhimin e monumenteve të trashëgimisë kulturore në Qendrën Historike të Prizrenit, duke i shndërruar në hapësira multi-funksionale kulturore në shërbim të qytetarëve.
Memorandumi i bashkëpunimit është nënshkruar në Prizren ndërmjet u.d sekretarit të përgjithshëm të MKRS-së, Xheladin Krasniqi dhe kryetarit të Prizrenit, Shaqir Totaj./KultPlus.com