23 Prill, 2024 - 6:07 pm
Nënat e Srebrenicës kanë falënderuar sot Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani për fjalimin që ka mbajtur mbrëmë në seancën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Presidentja e Kosovës dje me një fjalim të fuqishëm foli për vuajtjet e shqiptarëve dhe popullit të Bosnjes nga regjimi i Millosheviçit. Në këtë seancë pas presidentes Osmani ishin të ulura edhe 4 gra nga Kosova viktima të torturave dhe përdhunimit heroinat: Fahrije Hoti, Vasfije Krasniqi, Elhame Muçolli e Shyhrete Tahiri për të cilat Presidentja Osmani i tha në sy Vuçiqit se duhet të kërkoi falje i cili ishte i pranishëm në seancë.
Në Nju Jork, Osmani ftoi zyrtarët ndërkombëtar që ta vizitojnë Kosovën dhe të shohin vetë progresin e vendit, duke shtuar se do të preferonte të fliste vetëm për të ardhmen e saj e cila nuk është plotësisht e mundur nga mungesa e drejtësisë.
Më pas Osmani iu drejtua Vuçiqit, i cili përfaqësonte Serbinë se në vend që të përballej me të kaluarën, zgjodhi propagandën dhe mohimin, shkruan KosovaNews
Nuk ka falje, por nga Srebrenica kanë mbërritur shprehje falënderimi nga Nënat e Srebrenicës.
“I jemi mirënjohës Presidentes Osmani, fjalimi i saj për viktimat e gjenocidit në Srebrenicë, viktimat e gjenocidit ndaj shqiptarëve u dëgjua nga e gjithë bota. Ky lloj fjalimi do të mbahet mend nga brezat. Faleminderit!”, thanë nënat e Srebrenicës përmes një publikimi në Twitter.
Kujtojmë se në Kombet e Bashkuara në fillim të majit pritet miratimi i Rezolutës për gjenocidin në Srebrenicë.
Vuçiq nuk ndalet së lobuari kundër këtij akti, ndaj dje gjatë qëndrimit të tij në Nju Jork, ai kërkoi nga të gjithë anëtarët e OKB-së që të mos e lejojnë këtë, duke thënë se në misionin e Serbisë në OKB është duke punuar një staf special i ngarkuar për monitorimin dhe parandalimin e kësaj rezolute.