31 Gusht, 2019 - 3:00 pm
Një letër e papublikuar më parë e princeshën Diana tregon se ishte pikërisht një udhëtim në Kalkutë të Indisë që i ndryshoi jetën.
Nënë Tereza frymëzoi Lady D. të ndihmonte të varfrit dhe të ndërmerrte nisma bamirësie.
Pasi u takua me disa fëmijë të sëmurë, në shkurt 1992, princesha e Uellsit shkroi një lutje dhe kur u kthye në shtëpi ia dha shërbëtorit të saj, Paul Burrell. Në një shënim shoqërues thuhej se pati një zgjim të thellë pas lutjes me murgeshat.
“Sot, diçka tepër e thellë më preku. Isha në shtëpinë e Nënë Terezës dhe gjeta drejtimin që e kisha kërkuar prej kohësh. Motrat murgesha kënduan për mua. Ishte një përvojë thellësisht shpirtërore. Drita shkëlqeu brenda këtyre zonjave, shenjtore për mungesën e një fjale më të mirë, një dashuri e tillë erdhi nga sytë e tyre dhe prekja e tyre ishte plot ngrohtësi. Më çuan në një kishëz për t’u lutur me fillestarët dhe motrat. Ata këndonin Lutjet e Zotit dhe pasi hoqëm këpucët u lutëm së bashku në gjunjë”.
Nënë Tereza ishte shumë e sëmurë për ta parë Dianën në atë kohë, por ato u takuan disa javë më vonë në manastirin e saj në Romë.
Burrell, tani 59 vjeç, tha se ato ishin shumë të afërta me njëra-tjetrën dhe Nënë Tereza solli kuptim në jetën e Dianës. Burrell tha se Nënë Tereza, e cila u bë shenjtore vitin e kaluar, i dha Dianës një rruzare. Pas aksidentit fatal në Paris, më 31 gusht 1997, ajo i mbante në duar ndërsa ndodhej në shtratin e spitalit. Nënë Tereza vdiq pesë ditë më vonë. / KultPlus.com