Nënkoloneli amerikan Fildman: Muzeu i Forcave të Armatosura, profesional

4 Nëntor, 2024 - 2:34 pm

Muzeu i Forcave të Armatosura mirëpret çdo ditë qindra vizitorë.

Nënkoloneli Jorett Fildman nga Garda Kombëtare e Ushtrisë së New Jersey-it ka ndarë përshtypjet e tij të jashtëzakonshme rreth vizitës në këtë muze.

Ai thekson se Muzeu i FA ishte shumë profesional, dhe shumë mirë i ruajtur.

“Më pëlqeu se si e tregonte historinë e Forcave të Armatosura shqiptare që në fillimet e saj, nga koha e ilirëve e deri në kohët moderne”, tha ai.

“Më ndihmoi të informohesha për ushtrinë tuaj dhe për kulturën tuaj gjithashtu”, u shpreh Fildman.

I vendosur vetëm pak kilometra larg qendrës së Tiranës, në një hapësirë të dedikuar për ruajtjen dhe promovimin e koleksioneve dhe historisë së ushtrisë shqiptare, Muzeu i Forcave të Armatosura është tashmë një destinacion turistik për vizitorët vendas e të huaj.

Ai konsiderohet po ashtu dhe një pikë referimi për të gjithë koleksionistët e apasionuar pas armatimeve, mjeteve dhe pajisjeve ushtarake.

Ministria e Mbrojtjes bën të ditur se, në fokus tashmë është shtimi i mëtejshëm i koleksioneve dhe organizimi i aktiviteteve të dedikuara për çdo moshë./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme