2 Tetor, 2020 - 2:21 pm
Ministrja e Ministrisë së Kulturës Vlora Dumoshi ka njoftuar për memorandumet e nënshkruara mes Ministrisë së Kulturës së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, shkruan KultPlus.
Më poshtë keni njoftimin e plotë të ministres Dumoshi.
Në Mbledhjen e përbashkët të dy qeverive si Ministre e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Kosovës, nënshkrova sot katër memorandume të bashkëpunimit.
Memorandumi i bashkëpunimit për Veprimtarinë Botuese dhe Librin i cili ka për qëllim bashkëpunim të shumëfishtë me Shqipërinë për librin dhe botimin.
Memorandumi i bashkëpunimit për Kalendarin e përbashkët kulturor Kosovë – Shqipëri me anë të së cilit do të bashkërendojmë aktivitete kulurore.
Memorandumi për Bashkëprodhim Filmik i cili do të ngrisë bashkëpunimin ndërmjet dy institucioneve filmike, Qendrës Kinematografike të Kosovës dhe Qendrës së Filmit të Shqipërisë në bashkëprodhim filmik, dhe memorandum i cili parasheh ndarjen e çmimeve kombëtare të përbashkëta në kinematografi.
Memorandumi i bashkëpunimit për themelimin e Ligës së përbashkët të Basketbollit me anë të së cilit mbështetet themelimi i një lige unike të përbashkët të basketbollit ndërmjet Federatës së Basketbollit të Kosovës dhe Federatës Shqiptare të Basketbollit.
Uroj dhe shpresoj që këto marrëveshje të forcojnë edhe më shumë marrdhëniet tona vllazërore shtetërore dhe t’i ndihmojnë njëzëri kulturës e sportit andej e këndej kufirit shqiptar./ KultPlus.com