11 Tetor, 2023 - 4:57 pm
Sot, është nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi në mes të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Akademisë së Shkencave e Arteve të Kosovës, në kuadër të protokollit dyvjeçar të veprimtarive të përbashkëta 2024-2025.
Kjo marrëveshje është nënshkruar nga kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK) akademik Mehmet Kraja dhe nga kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (ASHSH) akademik Skënder Gjinushi.
Sipas Akademik Skënder Gjinushi, protokolli që u nënshkrua sot për bashkëpunimin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë me Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës ka si qëllim bashkëpunimin në të gjitha fushat.
“Marrëveshja ka si qëllim që të vazhdojë të zhvillohet tradita e bashkëpunimit të frytshëm kërkimor-shkencor mes dy akademive pas bisedimeve dhe shkëmbimit tё mendimeve pёr zhvillimin e mëtejshëm tё marrëdhënieve ndërinstitucionale nё përfundim tё periudhës sё protokollit për vitet 2022-2023.
Akademik Gjinushi vuri në dukje se për përforcimin e këtij bashkëpunimi për periudhën 2024-2025, do të mbahet parasysh rëndësia e ndërmarrjes së nismave të përbashkëta shkencore nga të dyja palët, e shkëmbimit të kërkuesve, përvojave dhe informacionit shkencor, mbështetur në marrëveshjen-kuadër të nënshkruar ndërmjet dy akademive”, thuhet në njoftimin e akademisë.
Ndërsa, Akademik Kraja, Kryetar i ASHAK, ka shprehur sigurinë e tij se vështirësitë që dalin gjatë punës në realizimin e projekteve të përbashkëta do të përballohen me rritjen e eficiencës dhe të ndikimit të kapaciteteve shkencore në mirëqeverisje, por edhe me mbështetjen e qeverive të të dyja vendeve.
“Veprimtaritë e përbashkëta që i bashkëngjiten marrëveshjes së nënshkruar konsistojnë në konferencat ndërkombëtare dhe mbarëkombëtare, tryezat shkencore, projektet, botimet dhe bashkëpunimet ndërmjet qendrave të kërkimit shkencor” thuhet në njoftim.
Ndër veprimtaritë e përbashkëta janë edhe tri veprat madhore: Enciklopedia shqiptare; Fjalor i madh i gjuhës shqipe; Histori e shqiptarëve.
Protokolli do të zbatohet duke lënë hapësirat për zgjerimin dhe shtimin e aktiviteteve gjatë punës së përbashkët të të dyja akademive./KultPlus.com