15 Maj, 2020 - 1:15 pm
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në kuadër të plotësimit të infrastrukturës fizike sportive, po vazhdon me investimet e saj. Investimi i radhës është në Gjilan në shumën prej 4,6 milion euro, në rindërtimin e stadiumit të qytetit.
Përkitazi, për këtë projekt kapital, në kabinetin e ministres Vlora Dumoshi sot ajo dhe kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, kanë nënshkruar memorandum bashkëpunimi për mbështetje financiare të projektit “Rikonstruktimi i Stadiumit të Gjilanit, Kategoria e IV”, projekt i cili do të implementohet gjatë viteve 2020-2022.
Sipas memorandumit, obligimet financiare 100% i merr përsipër MKRS-ja dhe cakton organin mbikëqyrës të realizimit të projektit, ndërsa Komuna e Gjilanit do t’i zhvillojë procedurat e prokurimit dhe të dyja bashkë, MKRS-ja dhe Komuna, do të kujdesen për implementimin e projektit.
Përpos memorandumit, në takimin e zhvilluar mes ministres Dumoshi dhe kryetarit të Gjilanit, Haziri, u bisedua edhe për projektet tjera të përbashkëta që kanë MKRS-ja dhe Komuna, që pritet të realizohen në Komunën e Gjilanit.
Ministrja Dumoshi tha se nëpërmjet këtij memorandumi që kanë nënshkruar sot, i është hapur rrugë standardizimit të stadiumit të qytetit të Gjilanit konform kritereve evropiane.
“Që nga marrja e detyrës, jam interesuar që të shqyrtoj projektet sipas prioriteteve dhe duke pasur parasysh këtë fakt, kemi marrë përsipër të iniciojmë projektin për të cilin nënshkruam sot memorandumin me kryetarin e Gjilanit, Lufti Haziri, e që do të konkretizojë me një stadium të mrekullueshëm të qytetit. Si MKRS, ndjehemi jashtëzakonisht të kënaqur që po u mundësojmë një hapësirë moderne e me standarde sportistëve të Komunës së Gjilanit,” u shpreh ndër të tjera ministrja.
Ndërkaq, kryetari Haziri e falënderoi ministren për përkrahjen ndaj komunës që udhëheq ai dhe u shpreh se vazhdimisht MKRS-ja dhe komuna e Gjilanit kanë pasur një bashkëpunim të shkëlqyer duke rezultuar me investime që kanë qenë në dobi të qytetarëve të Komunës së Gjilanit. / KultPlus.com