Nesër fillon fushata për informim për liberalizim të vizave

4 Tetor, 2023 - 10:00 am

Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se nga nesër do të hapet fushata për informimin e qytetarëve për liberalizimin e vizave.

“Aktiviteti i parë do mbahet në Prishtinë për të vijuar më tej në krejt Kosovën”.

“Ju ftojmë të na bashkoheni në këtë ngjarje e të informoheni së afërmi mbi lëvizjen e lirë pa viza që do nisë nga 1 janari”, thuhet në njoftimin e Qeverisë në Facebook.

Ky është njoftimi i plotë i Qeverisë:

Nisur nga data 1 janar 2024, qytetarë të nderuar të Kosovës, do të gëzoni lirinë e udhëtimit.

PA VIZA në zonën Shengen! Kjo hapësirë e re do të i’u mundësojë udhëtimin në qendra evropiane, vizita tek familjarët tuaj me lehtësi, dhe shijimin e aventurave të reja turistike, duke ju lejuar qëndrim deri në 90 ditë brenda një periudhe prej 180 ditësh.

Qëllimi i kësaj ngjarjeje është marrja e informacioneve të nevojshme për të kuptuar plotësisht të drejtat tuaja në lidhje me udhëtimin në zonën Shengen.

Nuk mund të theksohet mjaft se liberalizimi i vizave ka edhe rregullat e saj që duhet të respektohen, si të mos tejkalohen 90 ditë brenda 180 ditëve, të keni pasaportë valide, qëllim të udhëtimit, mjete të mjaftueshme financiare, e gjithashtu liberalizimi i vizave nuk do të thotë e drejtë pune apo studime.

Shkeljet e rregullave të liberalizimit të vizave, mund të çojnë në pasoja serioze, përfshirë gjoba financiare, shënim në pasaportën tuaj dhe ndalim të hyrjes në zonën Shengen për deri në 5 vite!

Prandaj, na u bashkoni në Sheshin Skënderbe në Prishtinë më 5 tetor dhe bëhuni pjesë e kësaj ngjarjeje informative të rëndësishme! / KultPlus.com

Të ngjajshme