Netflix e shfaq Kosovën si pjesë të Serbisë, nis peticioni për ta ndryshuar

9 Shkurt, 2021 - 2:06 pm

Fushata për vendosjen e kufijve të Kosovës në hartat e Apple e cila u përkrah nga shumë njerëz, ndër ta edhe nga yjet tona nëpër botë – nga Dua Lipa, Rita Ora e shumë të tjerë, pas 197,175 nënshkrimeve në platformën online “Change”, arriti qëllimin, shkruan KultPlus.

Tashmë një tjetër nismë ka filluar nga Sovran Hoti, student në Universitetin “Ukshin Hoti“ në Prizren.

Kësaj rashe kërkohet që Republika e Kosovës të njihet si shtet në Netflix.

Kjo nismë vjen pasi që Sovrani është përdorues i rregullt i Netflix dhe e ka vënë re se lokacioni i figuron Serbi. Kjo e ka ngacmuar Sovranin dhe ka filluar të hulumtojë më tepër rreth kësaj pune.

“Unë kam një kohë që e përdori Netflix dhe kur logohem në platformë lokacioni im figuron në Serbi. I pyeta edhe shokët dhe e njëjta gjë ishte edhe me ta. Kontaktova agjenten në Netflix dhe u mundova t’i shpjegoj se Kosova është shtet i pavarur dhe u kërkova ta hiqnin Serbinë si lokacion, por me sa duket ata nuk e kuptuan dhe as kishin dëgjuar për Kosovën, megjithatë thanë se do ta marrin parasysh”, tregon Sovrani rreth nismës së tij për të cilën pretendon të marrë jehonë e të tërheqë vëmendjen e Netflix për të arritur qëllimin.

Sovrani kërkon ndihmë që peticioni online i nisur nga ai me hashtag #NetflixaddKosovo të shpërndahet e të nënshkruhet sa më shumë që Netflix ta vërejë këtë nismë dhe të marrë vendimin që të njohë Kosovën si shtet.

Ky është linku ku mund të nënshkruani peticionin: https://www.change.org/p/netflix-add-kosovo-as-a-country-in-netflix?utm_content=cl_sharecopy_27279113_en-US%3A7&recruiter=921387685&utm_source=share_petition&utm_medium=copylink&utm_campaign=share_petition  / KultPlus.com

Të ngjajshme