20 Shkurt, 2023 - 1:19 pm
Një nga gazetat më të mëdha në botë, prestigjiozja New York Times, i ka kushtuar këtë fundjavë një artikull të posaçëm Tiranës, duke u fokusuar te transformimi i Piramidës, nga mazoleumi i ish diktatorit komunist në një qendër për teknologjinë dhe inovacionin për të rinjtë dhe fëmijët.
Rindërtimin e saj, New York Times e cilëson si një tempull që shkëlqen për shpresat ambicioze për të ardhmen e Shqipërisë. Gazeta kujton braktisjen e Piramidës gjatë viteve të para të demokracisë, rrënimin e saj, dhe vendimin e rëndësishëm të Bashkisë së Tiranës për ta transformuar.
“Për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, investimi për transformimin e Piramidës tregon si e përfytyron ai kryeqytetin: si “Tel-Avivi i Ballkanit”, një qendër e teknologjisë së inovacionit, që ofron vende pune, në një vend i cili nën udhëheqjen e Hoxhës ishte kaq i varfër dhe i izoluar nga bota moderne, saqë ndaloheshin edhe makinat e shkrimit dhe televizorët me ngjyra”, shkruan New York Times.
“Në vend që të jetë një relike e së kaluarës, do të transformohet në një ndërtesë drejt së ardhmes,” tha kryebashkiaku për Piramidën, e cila po rivjen si një hapësira e re me klasa dhe zyra për kompani të teknologjisë, që pritet të hapet së shpejti. “Hoxha duhet të jetë duke u rrotulluar në varr, po ta shihte se memoriali është shndërruar në një ndërtesë kapitaliste, që ofron punë dhe të ardhme”, tha Veliaj.
Gazeta ka intervistuar edhe arkitektin e trasnformimit të Piramidës, Winy Maas, të studios holandeze MVRDV, i cili është shprehur se trajtimi i strukturave të ndërtuara enkas për të manifestuar tiraninë, ka përfshirë gjithmonë “vendime të vështira”, por shtoi se pavarësisht se sa të vështira janë fillimet e një ndërtese, shembja është “rrallë një opsion i mirë.”
“Shqipëria ishte kombi i fundit në Evropë që hoqi dorë nga komunizmi, duke e bërë këtë në vitin 1991, me një furi sulmesh ndaj statujave të Hoxhës, sallës së tij përkujtimore dhe gjithçkaje që ai përfaqësonte. Por, shpresat për një epokë të re të prosperitetit demokratik, u kthyen shpejt në një trazirë akoma më të madhe, kur një rrjet i skemave financiare u shemb në 1997-ën, duke shkaktuar protesta të dhunshme mbarëkombëtare, që e shtynë vendin drejt luftës civile. Ujërat u qetësuan dhe i hapën rrugën Shqipërisë për të aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian në 2009-ën dhe për të fituar statusin e kandidatit në 2014-ën. Gjatë gjithë këtij udhëtimi të turbullt, Piramida e Hoxhës shquhej turbullt mbi Tiranë, duke “u kalbur” ngadalë. Me kalimin e viteve, Piramida nisi të shpërbëhej, u pushtua nga banorë zaptues dhe u mbush me të rinj që përdornin muret e saj të jashtme, të pjerrëta, prej betoni, si rrëshqitëse. Planet e guximshme për t’i dhënë strukturës një qëllim të ri erdhën dhe shkuan, duke përfshirë një projekt të dështuar të promovuar nga një ish-kryeministër shqiptar, Sali Berisha, për ta kthyer piramidën në një teatër të ri kombëtar. Në vitin 2010, Piramida ishte bërë një simbol kaq i turpshëm dështimi, saqë ligjvënësit kërkuan që ajo të shembet dhe u kërkuan arkitektëve austriakë të krijonin një plan për të ndërtuar një ndërtesë të re Parlamenti në tokën e saj. Edhe kjo përpjekje dështoi. Rinovimi aktual, më në fund theu vargun e dështimeve. Drejtuesi i kësaj është kryebashkiaku i Tiranës, Veliaj, një aleat i ngushtë politik i Kryeministrit të Shqipërisë në dekadën e fundit, Edi Rama, një ish-artist që ka marrë lëvdata, madje edhe nga disa rivalë politikë, për ndryshimin e reputacionit kaotik të vendit. Kryebashkiaku 43-vjeçar, kujtoi se e kishte vizituar Piramidën si nxënës shkolle menjëherë pasi ajo u hap në 1988-ën, si një memorial i zymtë për Hoxhën. “Ishte si të shkoje në një funeral të frikshëm,” tha ai, duke përshkruar se si një yll i kuq i ndezur në çati “na shikonte të gjithëve ne poshtë, si syri i Big Brother”, shkruan gazetari i New York Times. / atsh / KultPlus.com