30 Gusht, 2021 - 1:00 pm
Edicioni i shtatë i festivalit Ndërkombëtar i Poezisë në Rahovec do të mbahet nga 15 deri më 17 shtator.
Edhe sivjet Kosova do të jetë nikoqir i rreth 20 poetëve të përzgjedhur botërorë, në këtë mënyrë duke promovuar vlerat kombëtare, kulturore, artistike të Kosovës ndër poetët më të shquar botërorë, e që njëkohësisht bëhet edhe diplomaci më e mirë kulturore.
Vlen të potencohet se për herë të parë në mesin e të ftuarve do të jetë edhe poeti rus, Eldar Akhadov, një emër i shquar jo vetëm në Rusi por edhe ndërkombëtarisht.
Sivjet poetët janë selektuar me rigorozitet më të madh, ku është marrë kriteri gjeografik. Do të jenë përfaqësues nga Danimarka, Izraeli, Egjipti, Rusia, Austria, Greqia, Shqipëria, Mali i Zi, Serbia, etj.
Rahoveci edhe njëherë po e dëshmon traditën shumëshekullore me konakun ku shpija është e Zotit dhe e mysafirit, andaj do te jetë në dispozicion për mikpritjen më të mirë. Zonë kjo e cila ka traditën rreth 2 000 vjeçare të mikpritjes, rrushit, venës dhe punës së ndershme që e ngrit deri ne ritual.
Për festivalin kanë shkruar “Izraeli Sot” dhe ka mbulesë mediale nga Kajro dhe Hong Kongu nëpërmjet revistës “The Asian”. Po ashtu, ky festival do të përcillet edhe nga mediet shqiptare.
Edhe sivjet Festivali për diasporën do të ofrohet nëpërmjet “TV Alb Se” në Suedi.
Drejtor i Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë është poeti i njohur Fahredin Shehu./KultPlus.com