31 Gusht, 2024 - 10:58 pm
Magjia e Javëve Kulturore Ndërkombëtare rikthehet sërish me plot surpriza e argëtim. Njëjtë si me grupin e parë të shteteve pjesëmarrëse në këtë edicion të tretë të JKN, çdo javë do t’i dedikohet një kulture të caktuar botërore që afrohet në sofrën mikpritëse shqiptare nëpërmjet aktiviteteve të shumta që përcjellin më së miri pasurinë e tyre kulturore.
Gjithçka vijon nga 2 Shtatori me Hungarinë, që do të sjellë në vendin tonë deri më datë 6 Shtator, argëtim e emocione pa fund. Nga tingujt magjepsës të koncerteve live dhe ekspozitës mahnitëse me skulptura xhami të artistes Yvette Botz, tek eventi i veçantë me Chess Jazz dhe Rubik Cube, që do të mbushin Tiranën, Elbasanin, dhe Vlorën plot gjallëri, kjo javë ka diçka për të gjithë.
Surprizë e kësaj jave pa dyshim që do të jetë grupi folk dance Szinvavölgyi Néptáncműhely, që do të sjell në kryeqytetin tonë një performancë që premton shumë. Me kostumet tradicionale hungareze, ky grup do të marshojë përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, në datën 3 shtator, duke i dhuruar qytetit zhanerin e tyre që spikat për ndjenjën jashtëzakonisht të zhvilluar të ritmit, improvizimin dhe levizjet energjike.
E po ashtu, përgjatë ditëve të Javës Kulturore Hungareze, nuk do të mungojnë as workshop-et e veçanta me artistët apo ritmet e muzikës klasike.
Publiku i kryeqytetit do të ketë mundësinë që në morinë e aktiviteteve të shijojë edhe koncertin e madh të grupit hungarez Bohemian Betyars. Folk, punk, shpejtësi, ritëm, nota ballkanike, rock psikodelik, nota vibruese dhe motive cigane që karakterizojnë stilin e grupit, do munden të përjetohen po më datë 3 Shtator, tek Sheshi Italia.
Menjëherë pas Hungarisë, do të nisë java Kulturore e Holandës (7-11 Shtator), për tu pasuar nga Turqia (12-15 Shtator), Mbretëria e Bashkuar (16-22 Shtator), Kina (23-29 Shtator), Gjermania(2-8 Tetor), Japonia (9-15 Tetor), SHBA-ja (19-23 Tetor), Kombet e Bashkuara (24 Tetor), Austria (26-31 Tetor), Spanja (1-6 Nëntor), Mali i Zi (7-11 Nëntor), Meksika (12-16 Nëntor) dhe Kosova(21-30 Nëntor), që edhe përmbyll këtë edicion të tretë.
Edicion i tretë i Javëve Kulturore Ndërkombëtare, çeli siparin e aktiviteteve më darë 1 Maj me “Javën e Evropës” dhe vijoi me Francën, Greqinë, Italinë, Izraelin dhe Brazilin, që e shndërruan vendin tonë nga veriu në jug, në një arenë ndërkombëtare shumë kulturore dhe shumë disiplinore. Fokus i veçantë në aktivitetet e shumta përveç argëtimit, ishte edhe dhënia e mesazheve për gjithëpërfshirje, diversitet dhe të drejtat e njeriut.
“Javët Kulturore Ndërkombëtare” ose JKN, platformë e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Ne anë të kësaj nisme, është për qëllim krijimi i urave lidhëse, nxitja e kreativitetit dhe shkëmbimit kulturor me sytë drejt inovacionit, si një mjet i domosdoshëm për t’i dhënë zgjidhje dhe alternativa sfidave të përbashkëta që bota po kalon. Nëpërmjet këtij projekti vendet gjithashtu njihen më mirë, forcohen marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë, si dhe rritet oferta e aktiviteteve kulturore në Shqipëri për të gjitha shijet dhe moshat./ BalkanWeb/ KultPlus.com