Nga 5 prilli nis regjistrimi i popullsisë, rezultatet pas 3 muajsh – kosovarët do të pyeten edhe për religjionin

28 Mars, 2024 - 12:44 pm

Nga 5 prilli, Kosova do të fillojë procesin për ta regjistruar popullsinë në tërë territorin e saj. Ky proces pritet të zgjasë rreth gjashtë javë dhe do të jap një pasqyrë gjithëpërfshirëse të kushteve jetësore dhe sociale të njerëzve. Do të regjistrohen banorët rezidentë, por edhe mërgata. Janë gjithsej shtatë pyetësorë për plotësim, përfshirë edhe ai për dëmet nga lufta 1998/1999. Gazeta Express ju sjell një përmbledhje të asaj se çka duhet të dini rreth këtij procesi dhe pyetjeve që obligoheni t’u përgjigjeni.

Pas më shumë se dy vjetësh zvarritje, Kosova më në fund do të numërojë banorët e saj, ekonomitë familjare dhe banesat/shtëpitë, përfshirë edhe në veri të vendit. Procesi do të fillojë të premten e javës së ardhshme, e do të zgjasë deri më 17 maj.

Në Regjistrimin e Popullsisë do të angazhohen rreth 3 mijë e 500 regjistrues dhe 891 mbikëqyrës, si dhe stafi i ASK-së.

Këtë herë, janë shtatë pyetësorë që duhet të plotësohen. Në këtë regjistrim, është shtuar edhe pyetësori për dëmet e luftës dhe pyetësori për regjistrimin e bashkëatdhetarëve.

Mbledhjen e këtyre të dhënave, Agjencia e Statistikave e arsyeston me rëndësinë për të bërë politika më të mira për vendin, për ta planifikuar buxhetin dhe investimet, për t’i përmirësuar kushtet e jetesës në vend dhe për investime të huaja.

Sipas ligjit, çdo banor i Republikës së Kosovës detyrohet, që gjatë Regjistrimit, zyrtarit për regjistrim t`ia ofrojë të gjitha të dhënat e sakta në pyetësorët e Regjistrimit të Popullsisë.

Rezultatet preliminare të regjistrimit pritet të publikohen brenda tre muajve.

Pyetësori individual

Në pyetësorin individual janë gjithsej 42 pyetje. Tek ky formular është përfshirë edhe deklarimi për besimin fetar. Poshtë pyetjes sqarohet se sipas Kushtetutës së Kosovës, personi i regjistruar mund të zgjedh që të mos e deklarojë. I njëjti sqarim gjendet edhe poshtë pyetjes për përkatësinë etnike.

Pyetjet në vijim janë për nënshtetësinë, vendbanimin, shkollimin dhe punësimin.

“Nëse do të gjenit punë, a jeni të gatshëm të filloni punën në dy javët e ardhshme”, është njëra nga pyetjet.

Në fund të formularit, ka edhe pyetje për udhëtimin dhe llojin e transportit që e përdorin qytetarët për udhëtim, ku jepen 14 opisione.

“Për shembull, për Prishtinën, ne mund të dimë në bazë të përgjigjeve se sa është fluksi me trotinet, sa me autobus apo taksi, prandaj këto të dhëna janë shumë të rëndësishme. Është e rëndësishme saktësia e të dhënave, duhet të tregohet realiteti”, është arsyetimi që ka dhënë Agjencia e Statistikave të Kosovës për këtë pyetje.

Në pyetësorin individual, njëra prej pyetjeve është, edhe nëse personi që regjistrohet ka vështirësi në shikim, dëgjim, ecje, përqëndrim apo të mbajturit mend, vështirësi në kujdesin e përditshëm dhe në komunikim. Kjo pyetje pasohet nga ajo për periudhën se kur janë shfaqur këto vështirësi.

Pyetësori për ekonomitë familjare

Tek ky pyetësor janë dy lista. Fillimisht, është ajo ku duhet të jepen të dhënat per secilin anëtar, që është rezidentë në banesë.

“Anëtarët e ekonomisë familjare: personat që i takojnë kësaj ekonomie familjare private dhe që kanë jetuar në banesë për një periudhë të vazhdueshme së paku 12 muaj ose të cilët janë vendosur në banesë gjatë 12 muajve para ditës së regjistrimit, por me synim që të qëndrojnë këtu më gjatë se një vit shënohen në listën 1.

Anëtarët e ekonomisë familjare që janë banorë të zakonshëm në banesë, por mungojnë përkohësisht për më pak se 1 vit para ditës së regjistrimit duhet të përfshihen në listën 1”, sqarohet poshtë listës.

Lista tjetër është për personat që janë përkohësisht të pranishëm në ditën e regjistrimit, por të cilët jetojnë diku tjetër. Këtu përfshihen personat të cilët nuk jetojnë apo nuk pritet të jetojnë në atë banesë për një përiudhë së paku 12 mujore.  Për këta persona, nuk nevojitet plotësimi i pyetësorit individual.

Poshtë dy listave, janë edhe disa pyetje për ekonominë familjare. Pyetja e parë është për statusin e banimit, llojin e pronësisë se njësisë banesore.

Pyetja tjetër është nëse ekonomia familjare posedon, televisor, frigorifer, lavatriçe, makinë pjatalarëse, bojler elektrik, telefon fiks, cellular, mikrovalë, kondicioner, makinë tharëse rrobas, frizz, kompjuter/llatop, panel diellor, lidhje internet, veturë, furgon dhe vendparkim/garazh.

Pastaj janë disa pyetje për bujqësi. “A ka ekonomia familjare tokë në dispozicion në Republikën e Kosovës (në pronësi+tokë e marrë me qira-tokë e dhënë më qira”, “Sipërfaqja e tokës në dispozicion”, “A e shfrytëzoni tokën bujqësore?”, janë disa prej pyetjeve tek ky pyetësor.

Pyetjet tjera janë me sipërfaqen e shfrytëzuar të tokës bujqësore dhe mënyrën si shfrytëzohet.

Tek kjo pjesë, janë edhe pyetjet nëse ekonomia familjare mbanë bagëti, shpezë ose bletë, numrin e tyre dhe shitjen e produkteve bujqësore dhe blegtoriale nga prodhimi i vetë në 12 muajt e fundit.  

Pyetësori i dëmeve nga lufta 1998/1999 në ekonomitë familjare

Agjencia e Statistikave të Kosovës e ka përfshirë edhe këtë pyetësor për të regjistruar dëmet e shkaktuara nga lufta, duke shtuar se nevojitet si për negociatat me Serbinë, por edhe anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Pyetja e parë e këtij formulari është, nëse ekonomia familjare ka pasur dëme ekonomike si pasojë e luftës. Kushdo që përgjigjet me “po”, duhet ta shënojë edhe komunën dhe vendbanimin.

Kjo pyetja pasohet nga vlera e pronës së shkatërruar, nga deri në 10 mijë euro deri në mbi 40 mijë euro.

Pyetja tjetër është nëse si pasojë e luftës, ekonomia familjare ka pasur dëme në njerëz.

Më pas renditet pyetja nëse ka persona të vrarë, zhduur, plagosur apo burgosur nga ajo ekonomi familjare, ku kërkohet numri, emri dhe mbiemri i secilit person, viti i lindjes, viti i vdekjes dhe gjinia.

Pyetja e fundit është nëse ka pasur dëme të tjera (torturë, dhunë, pasoja psikologjike).

“Periudha e luftës përkufizohet prej 28 shkurt 1998 deri më 11 qershor 1999”, sqarohet në fund të formularit.

Pyetësori për listën e ndërtesave

Tek ky formular kërkohet kodi i ndërtesës, lloji i ndërtetësës, numri i njerëzve që jetojnë në ndërtesë, numri i kateve dhe numri i banesave në ndërtesë.

Në anën e djathtë të këtij formulari, duhet të sqarohet në rast se objekti nuk është për banim, të specifikohet se çfarë lloji ndërtesë është. Nëse është dyqan, zyrë, restorant, kafene, xhami, kishë, shkollë, punëtori.

Pyetësori për banesë

Tek ky formular, janë 20 pyetje. Pyetja e parë është për llojin e banesës/shtëpisë, e cila pasohet nga një nënpyetje për numrin e banesave/shtëpive që personi ka në pronësi në Kosovë.

Pyetjet tjera janë ndërtesën: llojin e ndërtesës, vitin e ndërtimit, numrin e kateve në ndërtesë, materialin me të cilin janë ndërtuar muret e jashtme të ndërtesës, nëse ndërtesa ka izolim, fasadë, bodrum, garazh e panele solare, nëse ndërtesa ka ashensor, nëse ndërtesa ka qasje për personat me aftësi të kufizuar duke përfshirë pjerrinën, statusin e shfrytëzimit të banesës/ shtëpisë, numrin e ekonomive familjare në njësi banesore dhe numrin e personave me vendbanim të zakonshëm në njësinë banesore.

Tek pyetjet për njësinë banesore, kërkohet numri i dhomave në dispozicion duke përfshirë edhe dhomat për qëllime biznesi ose profesionale, sistemin e furnizimit me ujë, lloji i shkarkimit të ujërave të zeza, pajisjet e banjos, kuzhina, mënyra e ngrohjes dhe lloji kryesor i energjisë së përdorur për ngrohje.

Pyetësori për kuartet e banimit kolektiv

Kjo kategori përfshinë hotelet, shtëpi në dhoma e shtëpitë tjera të dhëna për banim, institucione dhe kampe.

Pyetësori për këtë kategori përfshinë pyetjet për llojin e kuartit për banim kolektiv, numrin e ndërtesave në selinë e kuartit, pronësinë e ndërtesës ku gjindet kuarti i banimit kolektiv, nëse ndërtesa ka qasje për përsonat me aftësi të kufizuara.

Pyetjet tjera janë për ekonomitë institucionale. Këtu radhiten: Konviktet, spitalet, shtëpitë për përkujdesje, banesat për persona me aftësi të kufizuara, institutet psikiatrike, shtëpitë për pleqë, kazerma baraka-ushtarake, institucionet korrektuese dhe burgje, institucion fetare dhe banesat për punëtorë.

Pyetësori i ekonomive familjare institucionale-kolektive

Ekonomia institucionale/kolektive përfshin personat të cilët kanë nevojë për strehim dhe ekzistenca e të cilëve sigurohet nga një institucion.

Tek ky pyetësor janë dy lista. Te lista e parë regjistrohen personat që janë anëtarë të ekonomisë institucionale-kolektive dhe të cilët gjatë datës referuese të regjistrimit kanë qëndruar apo kanë mundësi të qëndrojnë më shumë se 12 muaj në këtë institucion.

Ndërkohë, te lista e dytë regjistrohen personat që përkohësisht janë të pranishëm në ditën e regjistrimit, por me vendbanim të zakonshëm diku tjetër (personat të cilët nuk jetojnë apo nuk pritet të jetojnë në banesë për një periudhë prej së paku 12 muajsh).

Regjistrimi i fundit i popullsisë në Kosovë është bërë në vitin 2011, sipas të cilit numri i përgjithshëm i banorëve në Kosovë, ishte 1 milion e 739 mijë e 825. Në këtë regjistrim nuk ishin përfshirë banorët e komunave me shumicë serbe në veri të Kosovë – Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut – pasi që në atë kohë ata kishin refuzuar procesin. / KultPlus.com

Të ngjajshme