20 Tetor, 2020 - 5:36 pm
Të gjithë mund të kenë një copëz Hollywoodi në shtëpi, ndërsa mbi 900 objekte ikonë të filmave të famshëm do të shkojnë në ankand.
Çizmet e famshme të Julia Robertsit të mbathura në filmin “Pretty Woman” dhe xhaketa që Brad Pitt e veshi në “Fight Club” janë vetëm disa prej pjesëve të koleksionit të çmuar.
Adhuruesit e disa prej filmave më të pëlqyer të dekadës së fundit, së shpejti do të jenë në gjendje të rikrijojnë skenat e preferuara në shtëpi, pasi gati 1.000 objekte do të dalin për shitje në një ankand online. Mes objekteve tjera ikonë që do të shkojnë “nën çekiçin” e ankandit të Prop Store Entertainment, në fillim të dhjetorit, janë edhe një telekomandë R2-S8 e “Star Wars”, dhe koka me efekte speciale e një alieni në prodhimin hit, “Alien”. Artefaktet janë përzgjedhur me kujdes nga themeluesi i Prop Store, Stephen Lande, përmes rrjetit të tij të producentëve, aktorëve, kompanive prodhuese e distributorëve
“Themelova Prop Store nga pasioni për të koleksionuar dhe gjithçka ka të bëjë me gjuetinë, e dini, cili do të jetë objekti i radhës? Shumë prej këtyre artefakteve janë hedhur diku pas prodhimit, ose do të hidhen”, tha Lande.
Në total më shumë se 900 objekte nga rreth 350 filma dhe shfaqje televizive do të dalin në ankandin 2-ditor. Mes xhevahireve të koleksionit, Lande përmend shpatën e dritës së përdorur nga personazhi i Obi Van Kenobit në “Star Wars: Revenge of the Sith”, e cila vlerësohet nga 80 mijë deri 120 mijë funte, fedora e Xhokerit Xhek Nikolson te filmi “Batman” apo kostumi i trajnimit të James Bond te “Skyfall”.
Katalogu përfshin po ashtu kapelën e piratit Jack Sparrow në “Pirtatët e Karaibeve” dhe helmetën e mbajtur nga Tom Hanks në “Shpëtoni ushtarin Rayan”.
Ankandi që do të zhvillohet online më 1 dhe 2 dhjetor pritet të gjenerojë rreth 5 milionë funte. \ A2News/ KultPlus.com