Nga fillimi i sulmeve ruse e deri te pushtimi i Çernobilit, krejt çka ndodhi deri tash në Ukrainë

24 Shkurt, 2022 - 10:00 pm

Rusia ka nisur sulmet ndaj Ukrainës nga fronte të shumta në mëngjesin e të enjtes në një përshkallëzim dramatik ku shumë qytete u bombarduan nga ajri.

Nga fillimi i sulmeve ruse e deri te pushtimi i Çernobilit, çka po ndodh në Ukrainë

Shpërthimet dhe bombardimet u dëgjuan fillimisht nëpër qytetet kryesore në Ukrainë rreth orës 5 të mëngjesit me orën lokale, pasi presidenti rus Vladimir Putin mbajti një fjalim televiziv para agimit nga Moska duke thënë se ai po autorizonte veprime ushtarake. Ai paralajmëroi vendet e tjera se nëse do të përpiqeshin të ndërhynin, do të përballeshin me një përgjigje ruse “aq të ashpër sa që asnjë komb i huaj nuk e kishte përjetuar ndonjëherë më parë”.

Në një fjalim të transmetuar të enjten në mëngjes, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy u bëri thirrje ukrainasve të marrin armët në mbrojtje. Ministri i Mbrojtjes njoftoi gjithashtu se do të shpërndahen armë të lehta për të gjithë veteranët dhe vullnetarët.

“Ne jemi duke u sulmuar nga jugu, veriu, lindja dhe nga ajri. Ne po i japim armët dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë për këdo që do ta kërkojë për të mbrojtur sovranitetin tonë. E ardhmja jonë varet nga secili qytetar”, tha ai. 

Sirenat e sulmit ajror u dëgjuan në të gjithë qytetin, po ashtu u panë edhe shpërthime në qytete të tjera.

FORCAT RUSE TENTOJNË TA MARRIN TERMOCENTRALIN BËRTHAMOR TË ÇERNOBILIT

Disa orë pas fillimit të sulmit, Zelenskyy postoi në Tëitter se forcat ruse po përpiqeshin të merrnin termocentralin bërthamor të Çernobilit në veri të Kievit. Ministri i brendshëm ukrainas paralajmëroi se një goditje në objektin e depozitimit të mbetjeve bërthamore mund të lëshonte pluhur radioaktiv që mund të mbulonte Ukrainën, Bjellorusinë dhe Evropën.

“Mbrojtësit tanë po japin jetën që tragjedia e vitit 1986 të mos përsëritet,” shkroi Zelenskyy , duke iu referuar shpërthimit të reaktorit të uzinës, i cili shkaktoi lëshimin e sasive të mëdha të rrezatimit në mjedis. 

Në komentet e postuara në Telegram , Zelenskyy më vonë rinovoi thirrjet e tij për qytetarët ukrainas që të ndihmojnë forcat e mbrojtjes territoriale, duke i kërkuar kujtdo me përvojë ushtarake të luftojë për vendin.

“Tingujt që ne dëgjojmë sot nuk janë vetëm sulme, shpërthime dhe raketa – janë zhurma e perdes së hekurt që bie dhe mbyll Rusinë nga bota tjetër e qytetëruar,” tha ai.

“Fatkeqësisht, ne kemi shumë humbje mes heronjve tanë, por kemi edhe ushtrinë ruse të marrë peng”, shtoi Zelenskyy. 

“Ne kemi shkatërruar shumë aviacion dhe pajisje ushtarake ruse. Unë shoh se shumë rusë janë të shokuar me atë që po ndodh. Disa prej tyre filluan të postojnë në mediat sociale se janë kundër këtij pushtimi.”

PRESIDENTI UKRAINAS U BËN THIRRJE UKRAINASVE TË BASHKOHEN KUNDËR RUSISË

Ukraina tha se ushtria ruse po sulmonte me ndihmën e Bjellorusisë, ku trupat ruse janë vendosur prej muajsh. Videoja e mbikëqyrjes e transmetuar në internet nga Shërbimi i Rojës Kufitare të Ukrainës tregoi tanke dhe automjete të blinduara që kalonin në Ukrainë nga Bjellorusia. Katër raketa balistike u hodhën prej andej në drejtimin jugperëndimor, sipas qeverisë.

Betejat u zhvilluan gjithashtu në Hostomel, në një aeroport ndërkombëtar mallrash dhe që ndodhet pak larg Kievit, si dhe në zonat përreth Kharkiv në lindje dhe Kherson në jug, thanë zyrtarët ukrainas.

Qeveria raportoi gjithashtu “sulme kibernetike masive” në faqet e saj të internetit.

FRIKË DHE BLLOKIM NË KIEV

Në kryeqytet, kryebashkiaku i qytetit hapi stacionet e metrosë si strehimore për banorët dhe shpalli një shtetrrethim nga ora 22:00 deri në 7 të mëngjesit.

Ndërsa zbardhi agimi, Erin McLaughlin i NBC Neës raportoi se “njerëzit këtu janë të tmerruar. Ata kanë qëndruar gjithë natën zgjuar duke monitoruar situatën dhe deri në këtë moment ka pasur një element mosbesimi që rusët do të shkonin pas kryeqytetit”.

Autostradat jashtë qytetit prej 3 milionë banorësh u bllokuan me makina ndërsa familjet u përpoqën të iknin, sipas fotove të drejtpërdrejta televizive dhe gazetarëve të NBC News në qytet. Radhë të gjata kishte edhe në ATM, dyqane ushqimore dhe pika karburanti.

Në qytetin verilindor të Kharkivit, më pak se 20 milje nga kufiri rus, pati shpërthime në distancë dhe shumë dyqane dukej se ishin të mbyllura pasi njerëzit grumbulloheshin me ushqime dhe benzinë, raportoi korrespondenti i huaj i NBC News, Matt Bradley. 

Tanket ruse qëndronin pranë unazës së qytetit, tha kryebashkiaku, duke shtuar se stacionet e metrosë ishin vendi më i sigurt për banorët.

Ndërkohë, më shumë se 3,100 ukrainas u evakuuan nga rajonet Donetsk dhe Luhansk në lindje, me më shumë evakuime që priten, sipas Ministrisë së Infrastrukturës së Ukrainës.

Pas fillimit të luftimeve, ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba shkroi në Twitter se “bota mund dhe duhet ta ndalojë Putinin”, ndërsa në Kombet e Bashkuara, ambasadori ukrainas Sergiy Kyslytsya foli drejtpërdrejt me homologun e tij rus, duke thënë: “Nuk ka purgator për kriminelët e luftës. Ata shkojnë drejt e në ferr.”

Edhe presidenti amerikan Joe Biden u zotua se do të marrë masa.

“Vetëm Rusia është përgjegjëse për vdekjen dhe shkatërrimin që do të sjellë ky sulm, dhe Shtetet e Bashkuara dhe aleatët dhe partnerët e saj do të përgjigjen në një mënyrë të bashkuar dhe vendimtare”, tha ai në një deklaratë. 

“Bota do ta mbajë Rusinë përgjegjëse”. 

Kriza e ka lënë Biden të përballet me sfidën e tij më të madhe të politikës së jashtme që nga marrja e detyrës. Ai më parë tha se një pushtim rus do të ishte “gjëja më e rëndësishme që ka ndodhur në botë, për sa i përket luftës dhe paqes, që nga Lufta e Dytë Botërore”.

Biden thirri një takim të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të enjten në mëngjes për të diskutuar krizën, tha një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë për NBC Neës. Ai u takua të enjten me homologët e tij të G7 për të diskutuar masat më të ashpra kundër Rusisë.

Grupi i ekonomive kryesore të botës denoncoi Putinin në një deklaratë të përbashkët më pas, duke premtuar “sanksione të rënda dhe të koordinuara ekonomike dhe financiare”.

“Ne u bëjmë thirrje të gjithë partnerëve dhe anëtarëve të bashkësisë ndërkombëtare që ta dënojnë këtë sulm në termat më të ashpër të mundshëm, të qëndrojnë krah për krah me Ukrainën dhe të ngrenë zërin e tyre kundër kësaj shkeljeje flagrante të parimeve themelore të paqes dhe sigurisë ndërkombëtare”. thuhet në deklaratë.

NATO gjithashtu dënoi sulmin “të pajustifikuar dhe të paprovokuar”, duke e quajtur atë një “kërcënim serioz për sigurinë euroatlantike”. Ajo tha në një deklaratë se po vendoste forca shtesë në “pjesën lindore të aleancës, si dhe asete shtesë detare”. 

PROTESTA KUNDËR LUFTËS NË UKRAINË PO MBAHEN NË 40 QYTETE RUSE, POLICIA ARRESTON QINDRA QYTETARË

Të paktën 705 persona raportohet të jenë arrestuar në protestat kundër pushtimit të Ukrainës nga Rusia. Protesta kanë nisur në 40 qytete ruse raporton OVD-Info, transmeton theguardian.

BIDEN FLET PAS TAKIMIT TË G7

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, ka treguar se çfarë ka diskutuar me homologët e tij në mbledhjen e G7 të thirrur pas sulmit rus mbi shtetin e Ukrainës. Ai ka thënë se janë paralajmëruar masa të sanksioneve shkatërruese dhe sanksioneve tjera ekonomike.

“Këtë mëngjes, u takova me homologët e mi të G7 për të diskutuar sulmin e pajustifikuar të Presidentit Putin ndaj Ukrainës dhe ne ramë dakord të ecim përpara me paketat shkatërruese të sanksioneve dhe masave të tjera ekonomike për të kërkuar llogari nga Rusia. Ne qëndrojmë me popullin e guximshëm të Ukrainës”, tha ai.

USHTARË RUSË TË ARRESTUAR, TANKE TË SEKUESTRUAR DHE HELIKOPTERË TË RRËZSUAR, UKRAINA BËN BILANCIN E LUFTËS

Trupat ukrainase kanë rrëzuar deri tani 5 helikopterë rusë, kanë shkatërruar dhjetëra tanke dhe kanë arrestuar gjithashtu dhjetëra ushtarë rusë, që kur Rusia nisi pushtimin e vendit të tyre këtë mëngjes.

Forcat ukrainase pretendojnë gjithashtu se kanë rrëzuar edhe 6 avionë rusë në Donbas, dhe një tjetër në afërsi të kryeqytetit.

KRERËT E INSTITUCIONEVE TË KOSOVËS DALIN ME DEKLARATË TË PËRBASHKËT NË PËRKRAHJE TË UKRAINËS

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, së bashku me kryeministrin Albin Kurti dhe kryetarin e Kuvendit Glauk Konjufca, kanë dalë me deklaratë të përbashkët në përkrahje të Ukrainës pas agresionit të Rusisë.

Në deklaratë thuhet se Kosova dënon fuqishëm agresionin ushtarak dhe invadimin e Ukrainës nga Federata Ruse që shpërfaqë hapur qëllimin rus për të minuar të drejtën e Ukrainës për të ekzistuar si shtet i lirë, i pavarur dhe demokratik. Gjithashtu, Republika e Kosovës dënon njohjen ilegale të “pavarësisë” së regjioneve ukrainase të Luhanskut dhe Donetskut nga ana e Federatës Ruse.

UKRAINA THOTË SE PAS NJË BETEJE TË ASHPËR RUSIA PUSHTOI ÇERNOBILIN

Forcat ruse kanë nën kontroll ish-centralin bërthamor të Çernobilit pas një beteje të ashpër, thonë zyrtarët ukrainas.

“Është e pamundur të thuhet se termocentrali bërthamor i Çernobilit është i sigurt ”, tha këshilltari presidencial i Ukrainës, Mykhaylo Podolyak.

“Ky është nga kërcënimet më serioze në Europë sot”, shtoi ai.

Çernobili ishte vendi i një prej fatkeqësive më të mëdha bërthamore në histori, kur një nga katër reaktorët e tij shpërtheu në vitin 1986. /express/ KultPlus.com

Të ngjajshme