Nga janari në Shqipëri kanë hyrë mbi 1 milion vizitorë nga Kosova

6 Shtator, 2020 - 5:30 pm

Nga janari në gusht, mbi 1 milion vizitorë nga Kosova kanë hyrë në Shqipëri.

Turizmi patriotik nga Kosova, trojet shqipfolëse dhe emigrantët ia kanë dalë që të sigurojnë të paktën mbijetesën për sektorin këtë verë.

Polakët pritet të vazhdojnë me chartera deri në fund të shtatorit, nëse qeveria e tyre nuk e përfshin Shqipërinë në listën e vendeve të ndaluara.

Nga kontratat me garanci, ata kanë shfrytëzuar vetëm 25 për qind, pjesa tjetër shtyhet në vitin 2021.

Shpresat për nordikët në bregdetin shqiptar tashmë janë shuar.

Vendasit kanë zgjedhur Sarandën, ku kapaciteti mesatar i plotësuar në struktura ishte 60 për qind.

Piku i sezonit këtë vit ka zgjatur vetëm 10 ditë.

Skema e kuponëve lidhur me rezervimet në agjenci po funksionon vetëm me Turqinë.

Nga Nertila Maho

Albulena!! Driton!! Ishin emra që të kumbonin në vesh teksa ishe duke pushuar në Jug. Është shumë atipike, në një kohë kur po lulëzojnë emrat modernë (dhe të çuditshëm në disa raste), të dëgjosh emra kaq “shqip”.

Familje të tëra nga Kosova apo të rinj në grupe shoqërore mund të hasje pafund këtë verë në çdo skaj, nga Velipoja në Sarandë.

Ishte ky një reflektim se turizmi këtë sezon, edhe pse nuk mund të ketë shënuar fitime, të paktën ka shpresa të mbahet në këmbë e bashkë me të, edhe dhjetëra mijë të punësuar.

Ky sektor, i cili prej vitesh po mbështeste rritjen te numri i vizitorëve nga vende të ndryshme europiane, por jo vetëm, këtë vit u gjend në një situatë dramatike, për shkak të pandemisë.

Shpëtimi u pa tek nxitja e turizmit vendas, ata nga trojet shqipfolëse dhe emigrantët.

Në fillim u duk e vështirë, por turizmi patriotik duket se ia doli.

Ashtu sikurse tregojnë shifrat zyrtare deri në korrik, ndikimi pozitiv pranohet edhe nga tur-operatorët kryesorë.

Kryetari i Unionit Turistik Shqiptar, Rrahman Kasa, thekson se nuk flitet për fitim, por vetëm për mbijetesë.

“Diferencën e kanë bërë turistët nga Kosova, pra turizmi tradicional që ka pasur kontribut domethënës në shtimin e të ardhurave. Kuptohet, edhe me të huajt nga vendet e Evropës ka një rritje, por kryesore ka qenë mbështetja e zonave shqipfolëse. Me atë që shohim sot, një pjesë e hoteleve do t’ia dalë të mbijetojë. Flas për ato struktura hoteliere ku është investuar seriozisht dhe kanë kapacitete të mëdha. Nuk di të them nëse strukturat e vogla, apo ato familjare e kanë pasur të lehtë, apo të vështirë, për të siguruar turistë” – pohon Kasa.

Në janar-gusht, numri i vizitorëve nga Kosova ishte mbi 1 milion, sipas burimeve nga Dogana e Kosovës.

Për 7 mujorin, shifra totale e hyrjeve nga Kosova është 52% më e ulët se një vit më parë. Por, sërish mbetet një shifër pozitive, po të kemi parasysh frikën e pandemisë, e cila në të dyja vendet po regjistron shifra në rritje të të prekurve aktivë, por edhe humbje jete.

Saranda shfrytëzoi mesatarisht 60 për qind të kapacitetit, u zgjodh nga vendasit.

Zakonisht, periudha nga 15 korriku e deri në fund të gushtit, është cilësuar si piku i sezonit turistik.

Por këtë vit, piku është regjistruar për vetëm 10 ditë, kur strukturat akomoduese kanë arritur të plotësojnë mesatarisht 90 për qind të kapacitetit.
Me raste të veçanta, plotësimi shkon edhe në 100 për qind, por kjo këtë vit ka ndodhur rrallë.

Arben Çipa, kryetari i Shoqatës së Operatorëve Turistikë në Sarandë, tregon se situata ka ndryshuar nga java në javë.

“Hotelet punuan mesatarisht me kapacitet 60% në sezon. Mund të themi që kanë pasur frekuentim, por ka ndryshuar nga java në javë. Javën e parë të muajit gusht, plotësimi i kapacitetit ka qenë vetëm 50 për qind, ndërsa java e dytë të gushtit dhe gjysma e javës së tretë ishte në luhatje mes 70-80 për qind. Piku i sezonit veror, që zakonisht është 15 korriku dhe 20 gushti, këtë vit u arrit vetëm në një 10 ditësh në muajin gusht” – nënvizon Çipa.

Por cilët janë turistët që kanë zgjedhur zonën e Sarandës?

Më së shumti kanë qenë vendasit, ndërkohë që ka pasur edhe shtetas nga Kosova dhe më pak pastaj polakë, bjellorusë dhe ukrainas.

Problem, sipas Çipës, këtë vit ka qenë menaxhimi i plazheve ku, së pari janë “zhdukur” plazhet publike dhe së dyti, bizneset janë detyruar të parapaguanin detyrimet për plazhin për 135 ditë pune dhe jo për 45, sikurse ka qenë një vit më parë.

Polakët, deri në fund të shtatorit, shuhen shpresat për nordikët, kontratat në vitin 2021.

Pak ditë më parë, qeveria polake mori në analizë vendet me të cilat do të mbyllte fluturimet charter. Në fillim u përfol se edhe Shqipëria mund të ishte pjesë e kësaj liste. Por duket se lobimi i fortë i operatorëve turistikë bëri që Shqipëria dhe Greqia të qëndrojnë për të paktën edhe dy javë dhe më pas të analizohet sërish situata. Gjasat janë që, nëse numrat nuk rriten dhe asnjë turist polak nuk infektohet me COVID-19 në vendin tonë, sikurse ka ndodhur deri tani, sezoni të shtyhet deri në shtator dhe charterat të vazhdojnë të vijnë.

Grupi për të cilin tashmë janë shuar të gjitha shpresat janë nordikët.

“Ne i prisnim nordikët të fillonin të paktën në mes të gushtit, por kjo ishte e pamundur duke pasur parasysh që qeveria e tyre nuk i lejon të dalin jashtë vendeve për shkak të numrave që kemi ne si vend dhe rasteve aktive me COVID-19” thotë Kasa.

Sipas tij, edhe gjermanët e “Der Turistik”, edhe pse kishin interes dhe Shqipërinë, e kishin te paketat më të shitura, e anuluan. Të gjithë kontratat me garanci, që nuk janë shfrytëzuar këtë vit, do të kalojnë automatikisht për verën e 2021-shit.

“Të paktën për polakët, që kanë pasur mundësi të vijnë në Shqipëri, këtë vit është shfrytëzuar rreth 25 për qind e kontratave me garanci, ndërsa pjesa tjetër janë shtyrë. Kjo do të thotë që, nëse situata normalizohet në vitin 2021, kontratat ekzistuese të vitit 2020 do të shfrytëzohen në vitin pasardhës” – thotë kreu i Unionit Turistik Shqiptar.

Përdorimi i kuponit, shqiptarët po e shfrytëzojnë për të shkuar në Turqi

Globalisht, në kushtet kur me miliarda rezervime në hotele, linja ajrore e paketa turistike ishin aktivë në kohën e shpërthimit të pandemisë, rimbursimi i tyre i menjëhershëm te klienti ishte i pamundur, për shkak të mungesës së likuiditetit. Në këto kushte, u gjet si zgjidhje kuponi apo voucher, që i jepet klientit në të njëjtën vlerë me rezervimin dhe mund ta shfrytëzojë brenda një viti sipas nevojës.

Sigurisht që, një pjesë e kompanive kanë bërë edhe rimbursim në para, por kjo është cilësuar se zgjat më shumë sesa marrja e një kuponi. Në qershor, edhe qeveria shqiptare miratoi një vendim që sanksiononte se operatorët turistikë dhe agjencitë duhet t’ju lëshonin kuponë në të njëjtën vlerë me rezervimin e qytetarëve ose të bëjnë rimbursimin brenda një viti.

Jeta Hoxha, agjente turizmi, në Union Travel, shprehet se kjo skemë po funksionon dhe është përdorur nga tur-operatorët, por të gjithë rezervimet janë shtyrë për vitin tjetër.

“Turqia ka funksionuar dhe kanë udhëtuar ata që kanë pasur rezervim apo kupon. Ka qenë klientelë që edhe nga gjendja ekonomike ka qenë mirë, pasi kanë zgjedhur resorte shumë të mira edhe si një garanci për sigurinë e masave ndaj COVID-19.Janë nisur me oferta last-minute (të minutës së fundit”. Një pjesë i shfrytëzoi kuponët edhe kur patëm atë hapjen me Malin e Zi, ndërsa tani lëvizin shumë pak. Pjesa e voucherit funksionoi vetëm për Turqinë, nëse e shohim në total” – shprehet Hoxha.

Situata e paqartë ka lënë agjencitë pezull lidhur me paketat që mund të ofrojnë për klientët, për aq kohë sa ka kufizim të lëvizjes.

“Ne zakonisht, në sektorin e turizmit dhe kryesisht agjencitë, fillojmë programimet tona me 8 Marsin sa u takon ofertave dhe më pas kalojmë me verën, festat e Nëntorit dhe Fundvitin.Këtë vit e kemi të vështirë të programojmë, apo të hartojmë oferta, pasi mbetemi peng të situatës. Maksimumi, ndoshta mund të kemi oferta rajonale me Malin e Zi dhe Maqedoninë apo Greqinë. Njerëzit vijnë e pyesin në agjenci për udhëtime individuale, por ne i kemi ndalur të gjitha” pohon Hoxha.

Lidhur me pjesën që kishin rezervime në agjenci për udhëtime jashtë dhe nëse këtë e kanë zëvendësuar me rezervime të ndonjë pakete në vend gjatë kësaj kohe, ajo thotë se ka pasur raste dhe klientët kanë rezervuar hotele në Durrës, Vlorë e Sarandë nëpërmjet agjencisë.

“Ne kemi kontrata me hotelet për të huajt, por duke qenë se ka pasur kufizim të lëvizjes, ato kontrata i kemi zëvendësuar me pushues nga Shqipëria, në disa raste kur na është kërkuar. Hotelet janë treguar elastikë, duke ofruar paketa të ndryshme nga vetëm me mëngjes deri tek të gjitha të përfshira” thekson Hoxha. Klan Kosova / KultPlus.com

Të ngjajshme