30 Prill, 2025 - 11:59 am
Shkruan: Iliriana Pylla
Në Zürich do të mbahet edicioni i 7-të i aktivitetit filantropik “Save a Life“, organizuar nga Action for Mothers and Children.
Drejtoresha ekzekutive e kësaj organizate, Rina Spahija ka thënë për Voice for Albanians se ngjarja kulturore do të mbahet më 23 maj dhe ka për qëllim që të shpëtojë më shumë jetë dhe të përmirësojë shëndetin e nënave dhe fëmijëve në Kosovë.
“Secili ndihet mirë kur dhuron, dhe në momentin kur dhuron për një kauzë kaq të rëndësishme të shtetit tonë, i cili ende ka nevojë për ndihmë sidomos në sistemin tonë shëndetësor, ku shpesh mungojnë medikamente jetike, atëherë vërtetë të gjithë ndihemi më mirë”, ka thënë ajo.
Synimi i këtij organizimi i cili përmban pika artistike është që të mbledh fonde për të siguruar medikamente e produkte të cilat mungojnë në Kosovë e të cilat në shumë raste edhe kushtojnë, e që familjarët dhe shteti shpesh nuk kanë mundësi t’i sigurojnë.
“Është një shkëmbim përvojash, një mundësi e dyfishtë ku ne i japim mundësi bizneseve të kontribuojnë për një kauzë për të cilën edhe ata janë të interesuar. Në anën tjetër ne marrim ndihmë financiare për realizim të projekteve shëndetësore përmes të cilave mbështesim gratë shtatzëna, blerjen e inkubatorëve për spitalet regjionale dhe për Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, trajnime të ndryshme për mjek neonatolog dhe infermiere të neonatologjisë. Po ashtu ne përmes këtyre fondeve sigurojmë donacionin e sulfatatit i cili është një medikament i cili ndihmon në zhvillimin e mushkërive të foshnjave të lindura para kohe”, ka thënë Spahija.
Ajo ka shtuar se janë të përkushtuar ndaj shpëtimit të jetëve dhe përmirësimit të shëndetit të nënave dhe fëmijëve në Kosovë, duke ndihmuar sistemin shëndetësor dhe duke siguruar qasje të barabartë në kujdes shëndetësor cilësor për çdo grua dhe fëmijë, pavarësisht prejardhjes apo vendndodhjes.
“Synojmë të ulim sëmundshmërinë dhe vdekshmërinë e nënave dhe foshnjave, unë po besoj se çdo kompani do të kishte dashur të dhurojë e ndoshta edhe të investojë në një ndryshim të sistemit shëndetësor në Kosovë. Ne nuk dhurojmë në një familje ose individ, ne dhurojmë ose investojmë në sistemin shëndetësor publik. Bashkëatdhetarët tanë më së miri e dinë se si janë ndërtuar sistemet perëndimore shëndetësore, prandaj po na duhet që edhe ne të bëhemi patriot dhe të ndihmojmë në ndërtimin e sistemeve tona”, ka theksuar ajo.
Përndryshe nga donacionet e siguruara në vitin 2024, 10 fëmijë me diabet morën pompa insulin, 5,000+ gra përfituan PaP teste falas, 6,000 gra dhe vajza morën mbështetje në Klasat për Nëna, 4,300 prindër u informuan mbi vaksinën HPV, 6 qendra të mjekësisë familjare u furnizuan me pajisje mjekësore. Ka ende nëna dhe fëmijë që kanë nevojë për kujdes urgjent, andaj po kërkohet kontributi i bashkëatdhetarëve ku çdo biletë e blerë nuk është thjesht një donacion por është një akt që shpëton jetë dhe jep shpresë për një të nesërme më të mirë.
Aktiviteti kulturor filantropik “Save a Life” do të mbahet më 23 maj në ora 19:30 në Zürich, hotel Five, Döltschiweg 234, 8055. Do të përcillet me një program të pasur dhe emocionalisht të fuqishëm: fjalime frymëzuese, mundësi rrjetëzimi me individë të përkushtuar, koktej mikpritës dhe darkë e kuruar me kujdes, e shoqëruar me muzikë live nga grupi String String./ KultPlus.com