29 Maj, 2022 - 11:21 am
Festivali i parë feminist në Kosovë e më i madhi në rajon, FemArt sjell edicionin e 10-të për dhjetë ditë me radhë, 14-23 qershor, 2022, i cili vjen për të shpërfaqur aftësinë e grave dhe burrave artiste/ë dhe aktiviste/ë, për t’u përmbushur, inspiruar e për të gjetur paqen. Nën moton “Nga Revolucioni në Evolucion” gra e burra, të reja e të rinj, artiste dhe artistë, aktiviste dhe aktivistë mblidhen për të vazhduar evolucionin feminist, për të inspiruar dhe sjellë ndryshimin. FemArt feston një dekadë të njohjes dhe nderimit të guximit të grave artiste dhe aktiviste, fuqisë kreative, dhe angazhimit të tyre për barazi e drejtësi.
Edicionin e dhjetë e hap shfaqja premierë “Kosova: Toka e Shpirtrave të Trazuar” me autore Shqipe Malushin, dhe regji të Zana Hoxhës. Kjo shfaqje është një dëshmi e përjetimeve të shumë grave që vjen si thirrje për të kujtuar dhe pranuar të kaluarën, ndryshuar të tashmen, dhe ndërtuar të ardhmen. Poezitë në lëvizje të Shqipe Malushit dramatizohen, inskenohen e jetësohen nga Trupa Artistike e Artpolis më 14 qershor, 2022, nga ora 20:00 në Teatrin Kombëtar të Kosovës.
FemArt nisi nga një ide, një dëshirë, një zotim, dhe një pasion për një shoqëri të drejtë dhe të barabartë për të gjithë. Feminizmi si koncept para së gjithash e mbi të gjitha përfshin respektimin e të drejtave dhe mundësive të barabarta për të gjitha gjinitë. Aktivizmi ynë artistik-feminist vjen si një përgjigje për t’u shëruar e kuptuar, për të krijuar e transformuar shoqërinë e jetën.
Një dekadë e artit të angazhuar kulmon me prezantimin e 24 aktiviteteve të artisteve/ëve dhe aktivisteve/ëve nga Kosova, Shqipëria, Serbia, Gjermania, Austria, Portugalia, Spanja, Izraeli, Reunion Island, Italia dhe Franca që sjellin shfaqje teatrore, balet flamenko, vallëzim bashkëkohorë, koncert, konferenca, diskutime, trajnime dhe punëtori. Aktivitete këto që do të zënë vend në Teatrin Kombëtar të Kosovës, Teatrin Dodona, Teatrin Oda, Bibliotekën Kombëtare dhe Muzeun Etnologjik “Emin Gjiku”.
Gratë artiste sjellin, fuqizojnë dhe inspirojnë përmes shfaqjeve teatrore, koncerteve, punëtorive e trajnimeve; “Pa zë” me regji të Klaudia Pirolit, “Në prag të thyerjes” nga Dekadenca dhe Markiza de Sada, “Nata e Divave” nga Dekadenca dhe Lady K, “Enigma e Revolucionit” me regji të Dijana Milošević dhe dramaturgji të Duca Knezheviq, “Ndal luftën” nga Miriam Engel, “Cities by Night” nga Valentina Medda, koncert nga Christine Salem, akrobacione dhe lojë me flakë nga Këmbëgjatat, muzikë elektronike nga M.i.M b2b Anitë, trajnim mbi feminizmin me Nevenka Rikallo, trajnimi për vetëmbrojtje “Çikat e Sjellshme”, si dhe konferenca dhe publikimi i raportit “Marrëdhëniet Gjinore dhe Pushteti” me autore Marta Keil dhe Katie Kheriji-Watts.
Inspiron edhe ilustrimi i fitueses së thirrjes ndërkombëtare të Festivalit FemArt, Dima Nachawi, një artiste feministe nga Siria, e cila thekson se, “gratë janë pjesë e pandashme e natyrës, të afta të rilindin edhe nga toka e tharë dhe të zhvillohen drejt diellit, si simbol i lirisë dhe evolucionit. Fuqia e saj rrezaton jetë, ngrohtësi dhe forcë në zemrat e komuniteteve tona”.
Ndërvite FemArt ka bashkëpunuar e krijuar edhe me artistë dhe aktivistë burra, të cilët ndajnë vlerat e përbashkëta feministe. Dhe në veprat e tyre zë vend të rëndësishëm ngritja e vetëdijes për barazi gjinore dhe fuqizim të grave. Kjo vazhdon edhe sot, me veprat si: “Babai dhe Babai” me regji të Kushtrim Koliqit dhe autorësi të Jeton Nezirajt, “Vals i Këputun” me regji dhe koreografi të Gentian Dodës, “Burrat” me regji të Pedro Alves, “Burrneshat” me autorësi të Jeton Nezirajt e regji të Erson Zymberit, “Ora e Vdekjes” me regji të Ilir Bokshit.
E nga Spanja na bashkëngjitet një performancë e veçantë, për herë të parë në Kosovë, “Luxuria” Flamenko Balet me regji të David Gutiérrez Molina dhe Paula Sánchez Reyes, që përmbyll edicionin e dhjetë të Festivalit FemArt, më 23 Qershor, 2022 nga ora 21:30 – 23:00 në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Një performancë që shpërfaq botën e pasigurisë, intrigave, dinamikave komplekse të fuqisë, dashurisë, besnikërisë dhe tragjedisë.
FemArt, si festival ndërkombëtar, ka arritur që të zgjerojë edhe më shumë rrjetin e saj duke bashkëpunuar me Perform Europe, dhe IETM (Rrjeti Ndërkombëtar për Artet Performuese Bashkëkohore), “On the Move” OTM, dhe FACE – “Fresh Arts Coalition Europe”.
FemArt ka mbushur 10 vjet dhe është në rritje. Është shndërruar në platformë unike të unitetit, diversitetit, barazisë dhe krijimtarisë; promovimit të feminizmit, barazisë gjinore, drejtësisë, edukimit, pajtimit dhe ndërtimit të paqes. Është një hapësirë e sigurt për shprehje dhe një mundësi për ndryshim. E tërë kjo nuk do të ishte e mundur pa mbështetjen e partnerëve, bashkëpunëtorëve dhe donatorëve, përfshirë këtu: Buçaj, EU KCR, CDF, KTK, Ambasada e Luksemburgut, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Komuna e Prishtinës, cfd, UNFPA, Ambasada e Francës, Perform Europe, SDC, KCSF, K10, Ambasada e Izraelit, IETM, Teatri Kombëtar i Kosovës, Teatri Dodona, Biblioteka Kombëtare, Grupit KOHA, Mik Mik dhe Onix Spa. /KultPlus.com