3 Nëntor, 2024 - 8:30 pm
Japonia planifikon të ndërtojë një korridor të automatizuar për transportim mallrash midis Tokios dhe Osakës për të ndihmuar në kompensimin e mungesës së shoferëve të kamionëve, raporton “Autoblog”.
Një animacion i krijuar nga qeveria tregon arka të mëdha me rrota që lëvizin përgjatë një korridori me tre korsi, i cili kalon në mes të një autostrade kryesore. Sistemi është planifikuar të fillojë testimin në fund të vitit 2027 ose në fillim të vitit 2028, me qëllim që të jetë plotësisht funksional deri më 2030.
Shuma totale e fondeve të nevojshme për atë projekt ende nuk është përcaktuar. Por shihet si një nga mënyrat kryesore për të ndihmuar vendin të përballet me porositë në rritje dhe mungesën e fuqisë punëtore.
Ngarkimi do të jetë i automatizuar dhe do të koordinohet me aeroportet, hekurudhat dhe portet.
“Ne duhet të jemi inovativë në mënyrën se si i qasemi transportit”, ka thënë Yuri Endo, zv/drejtoresha në Ministrinë e Tokave, Infrastrukturës, Transportit dhe Turizmit.
Përveç kompensimit të mungesës së fuqisë punëtore dhe nevojës për të reduktuar ngarkesën e punës për shoferët, sistemi do të ndihmojë gjithashtu në reduktimin e emetimeve të karbonit.
“Koncepti kryesor i këtij korridori është krijimi i hapësirave të dedikuara brenda rrjetit rrugor për logjistikën, duke përdorur sistem transporti 24-orësh të automatizuar dhe pa shofer”, shtoi Endo.
Sistemi mund të shtrihet në rrugë të tjera nëse rezulton i suksesshëm.
Ide të ngjashme po shqyrtohen në Zvicër dhe Britani të Madhe. Plani në Zvicër përfshin rrugë nëntokësore, ndërsa ajo e planifikuar në Londër do të jetë sistem plotësisht i automatizuar.
Mungesa e shoferëve të kamionit në Japoni po përkeqësohet nga ligjet që hynë në fuqi këtë vit duke kufizuar orët jashtë orarit për shoferët. Kjo konsiderohet e nevojshme për të shmangur punët e tepërta që çojnë në aksidente.
Në kushtet aktuale, kapaciteti total i transportit i Japonisë do të bie me 34 për qind deri në vitin 2030, sipas vlerësimeve të qeverisë. Kapaciteti i transportit të brendshëm është rreth 4.3 miliardë tonë metrikë, pothuajse të gjitha, ose më shumë se 91 për qind, transportohen me kamionë, sipas Shoqatës së Kamionëve të Japonisë./ KultPlus.com