1 Shkurt, 2021 - 1:14 pm
Një nga pikat më të rëndësishme të rendit të ditës në mbledhjen e zgjeruar vjetore të Asamblesë së ASH-së, që u mbajt më 29 janar 2021, ishte edhe ngritja e Qendrës së Botimeve Albanologjike e Enciklopedike pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Vendimi që të ngrihet njësia e kërkim-studimit me emërtimin Qendra e Botimeve Albanologjike dhe Enciklopedike (QBAE) pranë ASH u propozua nga Kryesia dhe mori pëlqimin njëzëri të anëtarëve të Asamblesë në mbledhjen e zgjeruar të saj më 29 janar 2021.
Kjo qendër ngrihet për të organizuar, drejtuar e realizuar punën në hartimin e tre projekteve madhore në Albanologji: Enciklopedia Shqiptare, Fjalori i Madh i Shqipes, Historia e Shqiptarëve si dhe Historinë e Letërsisë Shqipe.
Drejtimi ekzekutiv-administrativ dhe ai shkencor i Qendrës së Botimeve Albanologjike e Enciklopedike QBAE do të bëhet përkatësisht nga Drejtori i Qendrës së Projekteve dhe të Koordinimit Shkencor, prof. Irakli Koçillari, në cilësinë e drejtorit ekzekutiv; bibliotekarja e ASH në cilësinë e sekretares teknike dhe këshilli shkencor në përbërjen e të cilit janë Sekretari Shkencor i ASH akad.Shaban Sinani, akad. Pëllumb Xhufi, prof. Neritan Ceka, akad. Jani Thomai, prof. Valter Memisha, prof. Emil Lafe, akad.Marenglen Verli, akad. Ilirjan Malollari.
Propozimi i kryesisë u bë i shoqëruar me preventivat orientuese dhe platformat paraprake të hartuara nga grupet e punës dhe komisionet përkatëse, në bashkëpunim me përfaqësues të ASA-s, e pas konsultimit me ASHAK-un e marrjes së konfirmimit në parim të tyre për bashkëpunim.
Kryetari i ASH, akad. Skënder Gjinushi në raportin e Kryesisë, për këtë çështje, theksoi se “forcimi i rolit aktiv të Akademisë së Shkencave në kërkim-studim nëpërmjet drejtimit e realizimit të projekteve madhore në albanologji dhe krijimit të kushteve për thithjen dhe drejtimin e projekteve të tjera do të jetë një prioritet tjetër i rëndësishëm jo vetëm për këtë vit, por edhe me një shtrirje në disa vjet”.
Fillimi i punës për hartimin e tri veprave madhore albanologjike: Enciklopedia shqiptare, Fjalori i madh i shqipes dhe Historia e shqiptarëve; si dhe organizimi me sukses i konferencës ndërkombëtare të albanologjisë, përbëjnë angazhimin tonë kryesor gjatë këtij viti. Marrja prej Akademisë së Shkencave, në bashkëpunim me ASHAK-un, e rolit organizator në hartimin e tri projekteve madhore shqiptare, realizon një prej objektivave kryesorë të reformës, atë të rolit strategjik në zhvillimin cilësor të shkencave albanologjike.
Për realizimin e kësaj ndërmarrjeje të madhe pranë Akademisë së Shkencave do të ngrihet qendra e botimeve albanologjike e enciklopedike (QBAE), hap për të cilin kërkohet dhe pëlqimi i kësaj Asambleje. Ndërkohë, janë hartuar preventivat orientuese e platformat paraprake të domosdoshme për fillimin e punës zbatuese, në bashkëpunim me përfaqësues të ASA-s, me anëtarë të Asamblesë e të komisioneve. Ato janë konsultuar me ASHAK-un dhe është konfirmuar miratimi në parim i tyre. / atsh / KultPlus.com