Ngritet aktakuzë kundër krimeve të dhunës seksuale

6 Mars, 2020 - 1:17 pm

Sot, kur kanë kaluar më shumë se 20 vjet që nga përfundimi i luftës në Kosovë, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë për krime kundër njerëzimit të ndodhur gjatë luftës në Kosovë, respektivisht kundër krimeve të dhunës seksuale, si një nga krimet më mizore dhe më sistematike që kishin karakterizuar luftën në Kosovë.

QKRMT, si një organizatë jo-qeveritare e cila punon që dy dekada me të mbijetuarit e dhunës seksuale nga koha e luftës në Kosovë, me qëllim të rehabilitimit të traumave dhe avokimit për të drejtat e tyre, konsideron që ngritja e kësaj aktakuze përbën hap të rëndësishëm në arritjen e drejtësisë për viktimat – të mbijetuar të dhunës seksuale nga koha e luftës në Kosovë.

QKRMT, që nga viti 2017 ka punuar me viktimën, si në ofrimin e ndihmës psiko-sociale, gjithashtu edhe në përgatitjen sa më të mirë të këtij rasti.

“Falënderojmë Prokurorinë Speciale dhe Policinë e Kosovës për bashkëpunimin dhe profesionalizmin e treguar gjatë përgatitjes së kësaj aktakuze si në fazën e intervistimit, gjithashtu edhe në hapat e tjerë të rëndësishëm për mbrojtjen e identitetit dhe të dhënave të tjera konfidenciale të viktimës. Shpresojmë që ky hap i rëndësishëm për drejtësinë, do të pasohet me veprime tjera më dinamike, me qëllim të arritjes së drejtësisë për këtë kategori të ndjeshme shoqërore”, thuhet në komunikatë teksa shprehen që një veprim i tillë të shërbejë si shembull inkurajues për të gjithë të mbijetuarit e dhunës seksuale nga koha e luftës në Kosovë, që sa më shumë të ngrisin zërin për krimet që kanë përjetuar, sepse vetëm përmes dokumentimit, krimi jo vetëm që nuk mund të mohohet por edhe do të ndëshkohet.

“Gjithashtu, u bëjmë thirrjeve të gjithë aktorëve relevantë, që kjo aktakuzë e ngritur të shërbejë si një motiv shtesë për të gjithë ne që angazhohemi në avancimin e të drejtave të të mbijetuarve të dhunës seksuale”, përfundon me këtë thirrje komunikata. / KultPlus.com

Të ngjajshme