16 Mars, 2021 - 12:03 pm
Në skenën e madhe të Grammy Awards, këngëtarja e njohur shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, e nominuar në gjashtë kategori, u nderua me çmimin Grammy për albumin më të mirë në zhanrin pop, duke lënë mbrapa artistët si: Justin Bieber, Lady Gaga, Harry Styles dhe Taylor Swift, shkruan KultPlus.
Performanca e saj në skenë, veshja dhe energjia e saj u përfol mjaft shumë dhe u pëlqye nga publiku, ndërsa kujtojmë kritikat e mëhershme për prezencën e saj në skenë dhe kërcimit të saj gjatë performancave.
Por, ajo këtë herë dukshëm mahniti fansat e saj dhe pjesëtarët e Grammy, ku u përcollë me urime të përzemërta nga shumë figura të njohura.
Së fundmi, është Nicholas Abbott, Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, i cili përmes një postimi në facebook ka uruar artisten shqiptare, Dua Lipa për çmimin e fituar, duke thënë: “Urime Dua Lipa për suksesin në Grammy, ti po e bën Mbretërinë e Bashkuar dhe Kosovën krenare. Urime”.
Kujtojmë që ditën e djeshme, urime e vlerësime të tilla, Dua mori edhe nga kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili përgëzon artisten duke thënë se është inspirim për të rinjtë tanë dhe ambasadore e shtetit tonë. Si dhe nga ushtruesja e detyrës së Presidentes, Vjosa Osmani e cila e uroi Duan për çmimin duke thënë se ajo është inspirim jo vetëm për vajzat shqiptare por edhe të huaja. / KultPlus.com