Nikolla: Gjuha e komunikimit zyrtar të njësohet me gjuhën letrare

11 Mars, 2024 - 4:30 pm

Me nismën e deputetes Flutura Açka, njëkohësisht kryetare e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, Kuvendi organizoi sot veprimtarinë “Gjuha shqipe dhe identiteti i saj”.

Në fjalën e mbajtur në këtë aktivitet, kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla theksoi se “në kushtet e globalizimit, të qarkullimit të lirë të ideve, dijeve, të përzierjes dhe bashkëjetesës së kombeve, kulturave e gjuhëve, shqipja, si të gjitha gjuhët e kombeve të vogla, po përballohet me sfida serioze”.

Nikolla nënvizoi se aktualisht ka një sensibilitet të lartë publik, kombëtar, akademik dhe mediatik për mbrojtjen e identitetit të gjuhës dhe vlerave të kombit shqiptar, prej qëndrimeve nihiliste e ksenomane.

“Si do të kontribuojmë që gjuha shqipe të mbijetojë në marrëdhëniet e gjuhëve të kombeve më të mëdha e të zhvilluara, të mbetet ashtu siç e dëshironin rilindasit: një gjuhë e pavdirë? Legjislacioni dhe masat institucionale mbrojtëse për gjuhën shqipe duhet të mbështeten nga edukimi gjuhësor i gjithë popullsisë, sidomos i brezit të ri”, u shpreh ajo.

Po ashtu, Nikolla theksoi domosdoshmërinë e përmirësimit të mësimdhënies së gjuhës në shkollë si dhe edukimin me përparësi të administratës publike, që gjuha e komunikimit zyrtar të njësohet me gjuhën letrare.

Ajo falënderoi deputeten Açka si edhe akademikët, gjuhëtarët, shkrimtarët, artistët, botuesit, ekspertët si edhe deputetët e tjerë që kontribuan në këtë aktivitet.

“Le të rikujtojmë porosinë plot përgjërim të Naimit: “…Shqip të flisni përherë/ Fjesht e të papërzjerë””, tha Nikolla.

Zëvendëskryetarja e Kuvendit, Ermonela Felaj Valikaj, gjatë fjalës së saj, u shpreh se institucionet në vend kanë një detyrim të madh në përhapjen e gjuhës korrekte, qoftë të folur dhe asaj të shkruar si dhe nënvizoi se ligji i mbrojtjes së gjuhës është i domosdoshëm. “Ligji do të na ofrojë standardet e duhura. Kemi nevojë që të kemi një ligj që të mbrojë gjuhën tonë. Edhe gjuha jonë rrezikohet nga globalizmi, lëvizjet e shumta demografike. Do të kontribuojmë nga pozita e ligjvënësit për mbrojtjen e gjuhës”-u shpreh Felaj.

Kryetarja e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, Flutura Açka, foli gjatë aktivitetit për nismën ligjore të saj për mbrojtjen e Gjuhës Shqipe si dhe ngriti disa pyetje në lidhje me çështjet e gjuhësisë, përdorimit dhe mbrojtjes së saj.

Akademiku Gjovalin Shkurtaj u shpreh se të gjithë duhet të kujdesemi për Gjuhën Shqipe duke shmangur përdorimin e fjalëve të huaja. “Të vlerësojmë gjuhën, janë shumë pak njerëz që e dinë mirë gjuhën Shqipe, që e flasin dhe e shkruajnë bukur dhe pa gabime. Po përdoren plot fjalë të huaja të panevojshme. Ta ruajmë gjuhën tonë, ta mbrojmë, ta shkruajmë e ta flasim sa më thjeshtë e sa më bukur”- u shpreh Shkurtaj.

Drejtoresha e Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA), Prof. Asoc. Dr. Diana Kastrati, u shpreh se Gjuha Shqipe ka një rrugëtim të lashtë të saj dhe mbart gjurmë që e shënjuan.

Më tej aktiviteti vijoi me shfaqjen e filmit dokumentar “Shkronjat e Pavarësisë”, me në fokus historinë e alfabetit shqip në ditët e Kongresit të Manastirit./ atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme