Nikolla Koperniku dhe Galileo Galilei ata që guxuan të parët “të fusin në sherr” shkencën me fenë

7 Janar, 2023 - 3:05 pm

Astronomi 70-vjeçar ishte në shtratin e vdekjes, duke u munduar të lexonte diçka. Në duar kishte dorëshkrimin e një dokumenti që kishte shkruar dhe që ishte gati për ta botuar. Ndoshta nuk ia merrte mendja, po libri i tij do të përmbyste pikëpamjen e njerëzimit për universin. Gjithashtu, do të ndizte një polemikë të zjarrtë brenda krishterizmit, pasojat e së cilës ndihen edhe sot.

Ky ishte Nikolla Koperniku, një katolik polak, dhe bëhet fjalë për vitin 1543. Në veprën e tij me titull Mbi rrotullimin e sferave qiellore, Koperniku vendosi Diellin dhe jo Tokën në qendër të sistemit diellor. Vetëm me një veprim, Koperniku e zëvendësoi sistemin e ndërlikuar që kishte në qendër Tokën me një sistem më të thjeshtë e të shpjeguar bukur që kishte Diellin në qendër.

Në fillim nuk kishte tregues se në të ardhmen do të lindte një konflikt. Në fakt Koperniku u tregua i kujdesshëm kur paraqiti këtë teori. Plus kësaj, Kisha Katolike, e cila kishte adoptuar teorinë se Toka ishte në qendër të sistemit, dukej më tolerante ndaj hipotezave shkencore të asaj kohe. Madje ishte pikërisht papa ai që e nxiti Kopernikun të botonte veprën e tij. Kur më në fund Koperniku e botoi veprën, redaktori që shkroi parathënien e librit, i frikësuar, e paraqiti konceptin e sistemit me Diellin në qendër ose sistemit heliocentrik si një teori matematikore, dhe jo si një të vërtetë astronomike.

Lindja e konfliktit

Pas kësaj, në skenën e konfliktit hyn astronomi, matematikani dhe fizikani italian Galileo Galilei (1564-1642), i cili ishte po ashtu katolik. Me anë të teleskopëve, që kishte krijuar duke përdorur lentet e saposhpikura, Galilei arriti të shihte në qiell hollësi të papara deri atëherë. Këto vrojtime e bindën se Koperniku kishte pasur të drejtë. Gjithashtu, Galilei pa disa njolla në Diell, që sot njihen me emrin njolla diellore, duke vënë në diskutim një bindje tjetër filozofike dhe fetare mjaft të rëndësishme, sipas së cilës pretendohej se nuk ekziston rreziku që Dielli të ndryshojë ose të shkatërrohet.

Ndryshe nga Koperniku, Galilei ishte i guximshëm dhe i vendosur për të mbrojtur idetë e tij. Dhe këtë vendosmëri e tregoi në një ambient fetar më armiqësor, pasi Kisha Katolike në atë kohë kishte dalë hapur kundër teorisë së Kopernikut. Prandaj, kur Galilei arsyetoi se ideja e sistemit heliocentrik ishte jo vetëm e saktë, por edhe në përputhje me Shkrimet, kisha dyshoi për herezi.*

Galilei shkoi në Romë për të mbrojtur veten, por ishte e kotë. Në vitin 1616 kisha e urdhëroi që të mos i mbronte më idetë e Kopernikut. Galilei u detyrua të heshtte për ca kohë. Por pastaj, në vitin 1632, ai botoi një vepër tjetër ku mbronte tezën e Kopernikut. Pikërisht një vit më pas, Inkuizicioni e dënoi Galilein me burgim të përjetshëm. Por, nuk qëndroi në burg, sepse ishte në moshë të thyer, dhe kështu ia ndryshuan dënimin në arrest shtëpie.

Shumë e konsiderojnë konfliktin e Galileit me kishën si një fitore të shkencës mbi fenë, dhe më gjerë akoma, një fitore mbi Biblën. /AlbertVataj /KultPlus.com

Të ngjajshme