5 Nëntor, 2023 - 9:45 pm
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla shprehu sot ngushëllimet për ndarjen nga jeta të regjisorit Vladimir Prifti.
“Për mbi tre dekada, regjisori i njohur Vladimir Prifti krijoi për kinematografinë, kulturën dhe artdashësit shqiptarë një pasuri të çmuar”, u shpreh Nikolla në një mesazh.
“Filmat që artisti i palodhur Prifti solli në ekranin shqiptar, në dy kohë, pasqyrojnë historinë, botën e njerëzit, dramat dhe ngjyrat e jetës së shqiptarëve”, theksoi Nikolla.
“Regjisori i madh u nda nga jeta, por ne do të vijojmë të shijojmë e vlerësojmë veprën e tij artistike. U prehsh në paqe, Mjeshtër!”, shkroi Nikolla.
Vladimir Prifti u diplomua në shkollën e lartë për aktorë, «Aleksandër Moisiu». Më pas u emërua aktor në Teatrin Popullor. Luajti disa role dytësore atje. Spikati me Kogon te drama «Fytyra e dytë» e Dritëro Agollit (1968).
Pas disa përvojave si asistent regjisor në këtë teater, në vitin 1974 filloi punë si regjisor pranë TVSH-së. Prej këtej e ka zanafillën edhe pasioni i tij për filmin. E nisi në menyrë premtuese me dramatizimin e romanit të Ismail Kadaresë, «Gjenerali i ushtrisë së vdekur» (1976), duke e shndërruar shfaqjen teatrore në gjuhën e veçantë të filmit televiziv. Vijoi mandej edhe me filmin «Kur hidheshin themelet» (1978), sipas dramës së KoIë Jakovës, «Lulet e Shegës».
U nderua me çmimin e veçantë në Festivalin III të Filmit Artistik Shqiptar, dhe me çmimin e Republikes të klasit të parë me filmin e tij artistik «Udha e shkronjave» (1978). Ky film mbetet edhe sot e kësaj dite ndër kulmet e tij, duke qënë një film i frymezuar, i kahut psikologjik, me nënshtresa e tonime të thukëta dramatike, mesazhe të fuqishme, karaktere të realizuara, tension e suspansë.
Shtysa është marre nga tregimi «Buka dhe thika» i Dhimistër S. Shuteriqit. Ndërsa fabula e një rrugëtimi të Dhaskal Todrit me gërmat e shqipes mbi kuaj, vrasja e tij, si dhe ai pak dialog i tregimit kane pësuar transformime e pasurime, në sajë të imazhit të pasur filmik që ështe përftuar gjatë realizimit.
Në filmin «Era e ngrohtë e thellësive» (1982), pavarësisht zbukurimit që i bëhet jetës në minierë, i kushton vëmendje marrëdhënieve njerëzore dhe nevojës per besim, dashuri, dinjitet. Filmi i tij i parë i prodhuar në kinostudion «Shqipëria e re» ishte «Kush vdes në këmbë» (1985). Në këtë film vijon të konsolidojë stilin e tij me theks dramatik e tragjik, për dimensionin social të faktit, ashpërsine e veprimit duke vënë në qendër figurën vetëmohuese te Petro Nini Luarasit, raportet e tij me kishën, administratën turke, armiqtë e gjuhës dhe të mëkëmbjes kombëtare, etj.
Në filmin «Dhe vjen një ditë» ai veçon tashmë planet psikologjike, fshehur pas një dialogu në dukje të zakonshëm, që gërshetohet me episode të ndjera të njerëzve të thjeshtë në fshat, ku fillon edhe kuptimi i të vertetes prej individit të tjetërsuar nga tundimi për pozitë, privilegje e karrierë. Me ketë film kinematografia shqiptare u prezantua për herë të parë në Festivalin Ndërkombëtar të Venecias (1987).
Më tej do të realizonte filmin e arrirë «Flutura në kabinën time» (1988), fitues i çmimit të dytë në Festivalin VIII të Filmit Artistik. Regjisori paraqet me një realizëm të thellë aftësinë e njeriut për t’u prirur drejt së mirës, virtytit e fisnikërisë, pavarësisht rrethanave të pavaforshme të jetës.
Realizuar me shumë mjeshtëri është edhe filmi «Dasma e Sakos» (1998), fitues i disa çmimeve. Falë një subjekti të pasur me ide, karaktere dhe ngjarje, regjisori është kujdesur per të krijuar metaforën e shterpësisë së burrit, njeriut ambicioz e hakmarrës dhe të vetë raporteve të prapambetura të pronësisë perballë fisnikërisë, dashurisë dhe bukurisë njerëzore. Në një realitet në dukje të mbytur nga Iuksi dhe pasuria, por në fakt të vobektë shpirtërisht dhe armiqësor, spikat aftësia e regjisorit për të realizuar aktrime me vërtetësi, plot tension e dramacitet, sikunder aftësia e tij për të krijuar sinteza historike nëpërmjet imazhesh domethënëse.
V. Prifti ka realizuar edhe mjaft dokumentarë në vitet 2000-2004, ndër to mund të përmenden: «Të bekuarit», «Legjenda e baltës», «Rruga Egnatia», «Butrinti». Ky i fundit ka edhe elementet e filmit artistik, pasi ndërtohet mbi një fabul dhe personazhe të trilluara. FiImi fitoi një çmim të veçantë në Festivalin e X-të Ndërkombëtar të Filmit Arkeologjik, në Kiel të Gjermanisë.
Vladimir Priftit i është dhënë titulli «Artist i merituar».
Filmografia
“Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (1976); skenari Piro Mani dhe Qenan Toro
“Udha e shkronjave” (1978); skenari Peçi Dado, Vladimir Prifti
“Kur hidheshin themelet” (1978); skenari Kolë Jakova
“Era e ngrohtë e thellësive” (1982); skenari Naum Prifti
“Kush vdes në këmbë” (1985); skenari Naum Prifti, Vladimir Prifti
“Dhe vjen një ditë” (1987) skenari Teodor Laço, Vladimir Prifti
“Flutura në kabinën time” (1988) Skenari Teodor Laço, Vladimir Prifti
“Dasma e Sakos” (1998); skenari Vath Koreshi.
“Të bekuarit” dokumentar (2000);
“Butrinti” dokumentar (2002);
“Legjenda e Baltës” dokumentar (2003);
Skedë nga një qytetërim i hershëm, dokumentar 2003
“Rruga Egnatia” (2005)
“Skënderbeu” dokumentar 2012
Keno, regjia Ergys Peqini, Eurofilm, 2015
Ardhur nga ëndrrat, regjia Klajd Papadhimitri, Eurofilm, 2017
Rrëfimi i një vrasësi me pagesë, regjia Klajd Papadhimitri, Eurofilm, 2019 / KultPlus.com