10 Nëntor, 2020 - 10:05 pm
Në qytetin e Lezhës është duke u zhvilluar edicioni i XI i “Festivalit Folklorik Tipologjik Kombëtarë i Rapsodëve dhe Instrumentistëve Popullorë”.
Ky aktivitet, po zhvillohet në ambientet e Katedrales mesjetare të Shën Nikollit/Memorialit të vendvarrimit të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Aktiviteti ka nisur dje më data 9 nëntor në orën 18:00, dhe do të vijoi edhe sot më 10 nëntor ora 18:00. Ky edicion i kushtohet rapsodisë dhe lojës me vegla popullore muzikore.
Edicioni i XI organizohet nga Ministria e Kulturës, Qendra Kombëtare e Veprimtarive Tradicionale dhe Bashkia Lezhë.
Aktiviteti po zhvillohet duke respektuar masat anti-covid.
“Festivali Folklorik Tipologjik Kombëtar i Rapsodëve dhe Instrumentistëve Popullorë” është e vetmja veprimtari e cila i kushtohet tërësisht muzikës së bartësve dhe rapsodëve tanë, që interpretojnë duke kënduar me lahutë, lahuri, çifteli apo shkarki.
Takimi i parë i këtij aktiviteti kulturor u organizua në Lezhë në vitin 1995 për të vijuar traditën në çdo vit me këtë veprimtari folklorike. Qendra Kombëtare e Veprimtarive Folklorike është institucion shtetëror qendror, i specializuar, në varësi të Ministrisë së Kulturës. Ky institucion e trajton trashëgiminë jo materiale shpirtërore folklorike si pasuri kombëtare që ruhet e zhvillohet në trojet shqiptare, por edhe jashtë kufijve shtetërorë si Kosovë, Maqedoni, Mali i Zi, Greqi e Diasporë.
Qendra Kombëtare e Veprimtarive Folklorike (QKVF) trajton si pasuri kombëtare të gjitha ato vlera të krijuara nga pakicat kombëtare e linguistike në Shqipëri dhe i propagandon ato në veprimtaritë e organizuara prej saj dhe ato në bashkëpunim me të tretët. QKVF me veprimtarinë e saj punon për evidentimin, mbrojtjen, popullarizimin dhe promovimin e trashëgimisë jomateriale. Organizon seminare, tryeza të rrumbullakëta, takime pune në marrëveshje me institucione të tjera kulturoro-artistike, shoqata kulturore si dhe grupe private që merren me artin dhe kultivimin e trashëgimisë jomateriale./ KultPlus.com