Nis ‘Java e Terapisë së Artit’, diskutohet rreth shkrirjes totale të artit në aspektin e shëndetit mendor

13 Maj, 2021 - 1:37 pm

 Era Berisha

Thurja e veçantë dhe ndërlidhja e domosdoshme mes terapisë dhe artit në jetën e përditshme të njeriut, ndikon pozitivisht në thyerjen e stigmës në shoqërinë tonë e cila shkakton frikë dhe pasiguri për të shpalosur tregimet dhe përjetimet e secilit nga ne. E pikërisht për këtë temë mbrëmë  u zhvillua një tryezë diskutimi nga perspektivat e ndryshme të panelistëve, shkruan KultPlus.

Kjo ngjarje erdhi me rastin e fillimit të edicionit të katërt të Javës së Artit, ku u zhvillua eventi i parë i titulluar “Shëndeti fundaMental”. Kjo tryezë diskutimi që kishte zënë vend në Sallën e Kuqe, mblodhi rreth vetes panelistët si: Lirie Lokaj, Psikologe; Vigan Behluli, Psikolog; Teuta Krasniqi, Aktore; Leonora Aliu, Gazetare; Nesim Maxhuni, Artist, me ç’rast ata diskutuan rreth rëndësisë së artit dhe shëndetit mendor dhe ndikimi në mirëqenien tonë nga ndërlidhja e dy aspekteve me njëra-tjetrën.

Pasi një numër i konsiderueshëm i të pranishmëve kishin zënë vendet e tyre dhe pjesëmarrësit po bëheshin gati për tryezën e diskutimit, muzika ishte ajo që po shoqëronte atmosferën brenda sallës ku melodia e këngës ”Money is the name of the game” nga Buster Benton po pikonte po njëlloj si gjelbërimi në dy anët e sallës. Këto inkuadrime veçse dëshmojnë se muzika dhe natyra janë elemente të veçanta që ndikojnë pozitivisht në shëndetin mendor.

Kështu, eventi i parë nisi me një fjalë rasti nga zv.Drejtoresha e Qendrës për Informim dhe Përmirësim Social, Dorentina Podrimqaku.

“Është ndjenjë shumë e mirë që sot jemi fizikisht edhe pse në numër të vogël. Viti që kemi lënë pas na ka mësuar se sa i rëndësishëm është shëndeti mendor dhe kujdesi për veten dhe të tjerët. Secili prej jush që sot jeni këtu po e tregoni se keni filluar të kujdeseni për shëndetin mendor dhe se publikisht po shpreheni se sa është e rëndësishme të flitet për shëndetin mendor”, thotë Podrimqaku.

Kurse, përfaqësuesja nga ambasada gjermane u shpreh e lumtur që ishte prezente në këtë evnt. Ajo tha që ne ndodhemi në një moment, në një kohë shumë të rëndësishme tranzicioni edhe për korporatën e tyre të zhvillimit.

“Unë mendoj se të gjithë mund të rrisin vetëdijesimin dhe donatorët sepse detyra jonë është të flasim për rëndësinë e shëndetit mendor. Pra, ky vit është një hap shumë i rëndësishëm për Ambasadën Gjermane sepse për herë të parë ne kemi mbështetur me fondet tona të vogla buxhetore me shumën prej 50,000 euro. Është një fillim i vogël por tregon se Ambasada dhe Qeveria janë të gatshme për të investuar në këtë fushë”, thotë ajo.

Sipas saj, kur ajo ka mbërritur në Ministri, 11 vjet më parë, është dashur që ajo të kaloj në disa trajnime, trajnime këto jo teknike. Ajo duhej të mësonte për komunikimin paqësor, trajtimin e stresit dhe organizimin e punës. E gjitha kjo ka ndodhur sepse institucionet e kanë kuptuar se atmosfera e mirë dhe puna e mirë arrihet kur ndodh normalizimi për të folur rreth shëndetit mendor që konsiderohet një nevojë sepse secili individ ka një dobësi dhe ka nevojë për mbështetje.

Drejtori për Kulturë, Adrian Berisha ka falënderuar punën e madhe të këtyre organizatave ku edhe po realizohen projekte të tilla.

“Imagjinojeni jetën pa muzikë, pa film, pa libër dhe pa teatër. Jeta do të ishte shumë më e mërzitshme. Prandaj, për neve si Drejtori e Kulturës është e rëndësishme që të kemi sa më shumë bashkëpunim me organizatën ‘Qips’ dhe organizatat e tjera që punojnë për shëndetin mendor që të organizojmë sa më shumë aktivitete socio-kulturore e sportive në mënyrë që të kalojmë këtë diskursin e shoqërisë duke u fokusuar në problemet e shumta”, thotë Berisha.

Gjithashtu, ai ka shpresuar dhe dëshiruar që të arrihet një marrëveshje me Ambasadën Gjermane.

Pas kësaj hapje, nisi edhe eventi i parë në kuadër të edicionit të katërt të Javës së Artit, një tryezë diskutimi që shpalosi mendime dhe përjetime të ndryshme qoftë ato personale apo profesionale.

Ky diskutim filloi nga psikologu Vigan Behluli i cili ka prekur disa tema si: studimet sistematike që tregojnë për numrin e lartë të trysnive që kanë njerëzit sot, mirëmbajtjen dhe përmirësimin e interpretimeve sociale, qëndrimi i Kosovës në lidhje me shëndetin mendor në raport me vendet në rajon, sistemin shëndetësor, stigmën prezente e të vazhdueshme, shërbimet e ofruara, sfidat e shumta, mirëmbajtja e shëndetit mendor në kuadër të nivelit së komunitetit, mungesa e institucionalizimit, trajtimi i personave me probleme mendore, parandalimet dhe masat e ndërmarra, kapacitetin dhe ballafaqimet si dhe trajtimet sistematike.

Ndërsa, psikologja Lirije Lokaj ka folur rreth çështjeve si: trajtimi i shëndetit mendor i cili fshehët nga familja, ndikimi i pandemisë në shoqërinë tonë, simptomat e rrezikshme si: ankthi, depresioni dhe abuzimi me substanca, familjet e idealizuara dhe roli i tyre, rezultatet negative në mungesë të dashurisë, mungesa e komunikimit, tendencat dhe solidariteti në mesin tonë, stresi dhe natyra e njeriut ne raport me adaptimin, pasojat psikologjike, rritjet emocionale dhe sociale, personat e hospitalizuar, traumat kolektive dhe zhvillimet pas luftës.

Gazetarja Leonora Aliu, shpalosi më shumë rreth idesë për të përdorur artin si mjet terapeutik, një projekt ky i titulluar ”Dritat e depresionit”, që ka nisur para pandemisë por lansuar përgjatë asaj periudhe e që ka lindur si kërkesë nga nëna e saj për një tentativë nisje të dialogut publik për shëndetin mendor.

Ajo foli rreth vetëdijesimit dhe përjetimeve personale ku tregoi për problemet e saj dhe vështirësive të hasura, për mungesën e informacioneve në gjuhën shqipe, realizimin e ekspozitave dhe fotografive të njerëzve para dhe pas depresionit, buxhetin e vogël të shtetit për shëndetin mendor si dhe për komunikimin e nevojshëm mes njerëzve.

Gjithashtu, e pranishme ishte edhe aktorja Teuta Krasniqi, e cila foli nga perspektiva e një gruaje, nëne dhe artisteje.

Teuta foli nga aspekti personal i saj duke u nisur qysh nga harresa për prioritetin e shëndetit mendor, ndikimin e pandemisë dhe pasojat e humbjet e pasuara, rutinën e çrregulluar, frikën nga e panjohura, konsumimi i ushqimit, idealizimin e figurave të njohura në rrjetet sociale, nevoja për ngjarjet kulturore dhe koncertet e bukura e deri tek inkurajimi i artistëve për të folur rreth përjetimeve personale, pasiguritë dhe dobësitë e njeriut.

“Shtëpia jonë e përhershme është shëndeti mendor”, potencon Krasniqi.

Ndërkohë, artisti Nesim Maxhuni ka folur rreth periudhës së pandemisë dhe ndikimit në profesionin e tij.

Ai ka treguar për dhimbjen e madhe që ka pasur kur i ka vdekur babai dhe sinjaleve depresive që kanë ardhur nga nëna e tij e cila kishte luhatje emocionale. Po ashtu, ai kishte vërejtur edhe mungesën e kënaqësisë me fëmijët e tij dhe sipas tij pandemia ka ndikuar pozitivisht në pasurimin e lidhjes familjarë të tij në një periudhë kaq të vështirë. Kurse, në fund ai foli edhe rreth kampanjës së tij të realizuar gjatë pandemisë.

Kështu, krejt në fund të pranishmit patën rastin të shtrojnë pyetje në lidhje me artin, shëndetin mendor dhe gjithçka çka është diskutuar mbrëmë.

Java e Terapisë është mbështetur nga Ambasada Gjermane dhe Komuna e Prishtinës dhe deri më datë 16 maj do të mbajë edhe një sërë aktivitetesh. / KultPlus.com

Të ngjajshme