5 Maj, 2021 - 4:26 pm
Tryeza diskutimi, maratonë e filmave, bisedë e njëanshme me psikologë, performime poezish, natë rrëfimesh dhe koncerte muzikor, janë këto aktivitetet që do të zhvillohen në kuadër të Javës së Terapisë të Artit, shkruan KultPlus.
Java e Terapisë do të fillojë me një tryezë diskutimi të titulluar ‘’Shëndeti fundaMental’’, ku do të shqyrtohen çështje rreth nevojës për art, posedimit të veprave artistike, rëndësisë së artit për mirëqenien psikologjike, ndikimit psikologjik në krijimin dhe interpretimin e artit, rëndësisë së shëndetit mendor, vlerësimit së artit në shoqërinë tonë dhe jo vetëm.
Pjesë e tryezës së diskutimit do të jenë: Lirie Lokaj, Psikologe; Vigan Behluli, Psikolog; Teuta Krasniqi, Aktore; Leonora Aliu, Gazetare dhe Nesim Maxhuni, Artist. Ky event do të mbahet më 12 maj në Sallën e Kuqe në orën 18:00.
Në eventin e dytë të radhës do të zhvillohet një maratonë e filmave të titulluar ‘’3,2,1… Merr Frymë’’, ku do të shfaqen filmat si: “We are not Super Heroes” me regji të Lia Bertels, që tregon për vizualizimin e momentit të ndjeshëm gjatë të cilit realiteti dhe fantazia e ëndrrat shkëputen nga njëra-tjetra; “Listen Papa!” me regji të Olga Poliektova dhe Tatiana Poliektova, që tregon për fjalë të pathëna që marrin fuqinë e tyre në letrën e një djali drejtuar babait të tij; dhe “Verso le Stelle (To The Stars)” me regji të Antonello Piccione, që tregon për vizualizimin e arratisjes si rruga e vetme për një jetë më të mirë në mjerimin e pamëshirshëm të luftës.
Këta 3 filma do të zënë vend në orën 20:00 më 13 maj në M Club Prishtinë dhe Kino ‘’Jusuf Gërvalla’’ në Pejë. Ndërsa, më 14 maj në orën 18:00 do të shfaqen në Diakonie Youth Center në Mitrovicë.
Si aktivitet i tretë me radhë do të realizohet biseda e njëanshme me psikologun të titulluar ‘’Blind Confessions’’, ku do të flitet për gjërat që mund të jenë duke e munduar çdo njeri. Kjo ngjarje është menduar për ta lehtësuar barrën e bartjes të të gjitha atyre mendimeve e ndjenjave të cilave u kemi dhënë fuqi e kanë marrë fuqi mbi ne, apo thjesht të merret perspektiva e një personi të dytë mbi ato mendime dhe ndjenja.
Përgjatë “Blind Confessions”, të pranishmit kanë mundësi që të shkruajnë çdo mendim e gjë që ata duan të lexojnë në një copë letër dhe ti diskutojnë ato nga profesionistët e ftuar të shëndetit mendor për këtë event. Të gjitha gjërat e shkruara në letër do të jenë plotësisht anonime.
Këto biseda do të zhvillohen më 13 maj në orën 20:30 në M Club, Prishtinë me Urata Gjergjizi dhe në Kino “Jusuf Gervalla”, Pejë. Ndërsa më 14 maj në Mitrovicë në orën 18:30 do të zhvillohet në Diakonie Youth Center me Xhevahire Balaj në Diakonie Youth Center.
Ngjarja e katërt në kuadër të Javës së Terapisë të Artit është titulluar “Bardh e Zi me ngjyra”, ku flitet për artin dhe shëndetin mendor nga perspektiva e një artisti.
Të menduarit bardh e zi ose i njohur ndryshe si të menduarit e polarizuar është konsideruar se ka të bëjë me tendencën tonë të të menduarit përmes ekstremeve, si p.sh., “Asgjë nuk ka kuptim” apo “Çdo gjë është perfekte”. Kjo mënyrë e të menduarit na e vështirëson ta shohim botën në nuanca të tjera, me ngjyra të tjera, përveç atyre bardh e zi.
“Bardh e Zi me ngjyra” do të realizohet me Ilir Muharremin, i cili do t’i shtojë Javës së Terapisë së Artit nuanca të reja në aspektin e perspektivave të reja.
Kjo ngjarje do të zë vend më 15 maj në orën 19:00 në 1 8 Prishtinë.
Aktiviteti i pestë me radhë përfshinë performime poezish nga performues të shumtë të cilët do të ndajnë shkrimet e tyre poetike me audiencën prezente në “Slam Poetry” në ditën e dytë të Javës së Terapisë së Artit.
Ky event do të mbahet më 14 maj në orën 18:00 në M Club.
Ndërsa si aktivitet i gjashtë do të zhvillohet një natë e rrëfimeve e titulluar ‘’Netët pa gjumë”, ku folës do të jenë: Adriana Matoshi, Argenita Fetahu dhe Leart Rama.
Në këtë natë të pranishmit do të kenë mundësi të shpalosin përvojat e tyre nëpërmjet rrëfimeve të cilat do të japin një kuptim të ri netëve pa gjumë.
Eventi do të mbahet më 14 maj në orën 20:00 në M Club.
Akitviteti i fundit i cili do të përmbyllë Javën e Terapisë së Artit është koncerti muzikor me titull ‘’Festivali i Mendjes”, ku do të performojnë artistët si: SKAG Band, Gjina Kelmendi, Fjolla Shaqiri, Liridona Selmani, Lekë Gjurgjiali and Band, Florent Abrashi, dhe Nora Konjuhi.
Ky koncert do të zhvillohet më 16 maj në orën 19:00 në Teatrin Oda.
Java e Terapisë së Artit është organizuar nga Komuna e Prishtinës dhe Qendra për Informim dhe Përmirësim Social./ KultPlus.com