15 Shtator, 2023 - 3:27 pm
Në një hap të rëndësishëm drejt ndriçimit të një kapitulli të ri në shkencën dhe kulturën e astronomisë, Observatori dhe Planetariumi Kombëtar i Kosovës po zë formë si një ndër projektet më frytdhënëse në vendin tonë, shkruan KultPlus.
Nisma e kësaj iniciative ka gjetur frymëzim dhe drejtim nga Pranvera Hyseni nga Astronomy Outreach Kosovo e cila ka qenë në një vizitë studimore në NASA dhe tashmë angazhimin e saj e ka kthyer në një ndër ndërtesat kulturore dhe edukative më të pritshme për qytetarët e Kosovës.
Projekti i Observatorit dhe Planetariumit Kombëtar është shtrirë në një sipërfaqe në Komunën e Shtimës dhe do të kryejë detyrën e tij të rëndësishme si një qendër astronomike multifunksionale, duke hapur një dritare të shkëlqyer për shkencën në Kosovë.
Pranvera Hyseni, e njohur për përkushtimin e saj ndaj nxitjes së interesit të rinisë ndaj shkencës, ka shprehur bindjen se ky projekt do të sjellë frymë të re për fushën e astronomisë dhe do të ndikojë në rritjen e ndërgjegjësimit për universin e pafundësisë.
“Shihemi së shpejti në qendrën astronomike multifunksionale që do ti sjellë frymë të re shkencës në Kosovë”, shprehet Hyseni.
Planetariumi i planifikuar do të jetë një mrekulli teknologjike që do të mundësojë përjetimin e ngjarjeve të shumta të kozmosit në një mënyrë interaktive.
Observatori dhe Planetariumi Kombëtar do të shërbejë si një burim i pasur i njohurive dhe informacionit për të gjithë ata që janë të interesuar të mësojnë më shumë rreth botës së astronomisë.
Me ndërtimin që është në rrugë, shpresat dhe interesimi për botën e astronomisë në Kosovë janë ngritur në një nivel të ri. / KultPlus.com