Nis pastrimi i vijës liqenore në Pogradec

31 Mars, 2024 - 7:00 pm

Në Pogradec kanë nisur përgatitjet për mbarëvajtjen e sezonit të ri turistik.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, ndau në rrjete sociale pamje nga aksioni i pastrimit, teksa shkroi se, “në Pogradecin që po mirëpret turistët e bëhet gati për sezonin veror nis pastrimi i vijës liqenore nga urat, shtesat e shkallët e betonit në hyrje të qytetit”.

Sipas saj, puna do të vijojë me rehabilitimin e plazhit për ta bashkuar me plazhin e vjetër të “Uçkave”, duke shtuar edhe më tepër plazhin publik për qytetarët dhe turistët e Pogradecit, në një pjesë e cila nuk aksesohej prej shumë vitesh.

Falë një strategjie të mirëkonceptuar në orientimin e investimeve apo shërbimeve në këto 4 vitet e fundit, Pogradeci arriti të ngjitet me shpejtësi dhe të rreshtohet krah qyteteve me turizëm të zhvilluar. Kjo faktohet edhe nga shifrat në rritje nga viti në vit të numrit të pushuesve dhe vizitorëve.

Sipas bashkisë Pogradec, vetëm gjatë sezonit veror 2023, në këtë qytet qëndruan rreth gjysmë milioni turistë, vendas dhe të huaj. Kjo rritje kaq e madhe sigurisht që bazohet në shërbimet dhe investimet e bashkisë, bashkë me shërbimin në rritje të operatorëve turistikë./ KultPlus.com

Të ngjajshme