24 Korrik, 2024 - 12:04 pm
“Një atraksion i ri turistik i shtohet Korçës”, me këto fjalë kryebashkiaku Sotiraq Filo ka njoftuar nisjen e punës për rikonstruksionin e Muzeut “Asdreni” në fshatin Drenovë.
Muzeu “Asdreni” do të jetë pjesë e projektit madhor Poli i Jugut, që i hap Korçës një pol të ri zhvillimi me ndikim të jashtëzakonshëm në ekonomi e turizëm.
Rikonstruksioni i muzeut është bërë i mundur falë një investimi nga Bashkia e Korçës dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Veç muzeut, në këtë godinë do të ngrihet edhe një ambient që do të shërbejë si qendër ditore për banorët e moshuar të Drenovës.
Sipas kryetarit të Bashkisë Korçë, shumë shpejt Drenova do të shndërrohet në një nga destinacionet më të vizituara nga turistë vendas e të huaj.
Muzeu, i cili fokusohet në jetën dhe veprën e Asdrenit, ka filluar të grumbullojë një koleksion të pasur të materialeve që lidhen me poetin.
Asdreni (Aleks Stavre Drenova) njihet si poeti i Himnit të Flamurit. Ai lindi më 11 prill 1872, ishte poet dhe veprimtar patriot. Asdreni ka jetuar në Drenovë deri në moshën 14 vjeçare, para se të vendosej në Bukuresht, ku ka pasur një komunitet të madh shqiptarësh. Pjesa e madhe e materialeve për muzeun janë siguruar nga atdhetarët në Bukuresht. Idealist i përkushtuar, Asdreni e mbylli jetën në varfëri të plotë. Vdiq në Bukuresht më 11 dhjetor 1947./atsh/KultPlus.com