Nis restaurim urgjent i Kishës së Shën Dëllisë në Buhal të Përmetit

23 Janar, 2025 - 4:15 pm

Në Kishën e Shën Dëllisë në Buhal të Përmetit nisi ndërhyrja urgjente për restaurimin e saj.

Kjo ndërhyrje do të realizohet  nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Gjirokastër dhe Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, në bashkëpunim me CHwB Albania si dhe me mbështetjen e fondacionit “Gerda Henkel Stiftung”.

Ndërhyrja në këtë kishë e cila i kushtohet profet Ilisë dhe është Monument Kulture, Kategoria I, konsiston në restaurimin e çatisë, punime në muraturë si dhe vendosje tirantash, për të garantuar ruajtjen dhe mbrojtjen e këtij objekti të rëndësishëm kulturor.

DRTK Gjirokastër publikoi në rrjetet sociale edhe imazhe fotografike nga fillimi i punës në këtë objekt kulti i cili daton në gjysmën e dytë të shek. XI – gjysma e parë e shek. XII dhe ndodhet në një bregore në anë të fshatit, pranë lumit Vjosë.

Kisha përbëhet nga naosi drejtëkëndësh i gjatë, në drejtim lindje-perëndim, narteksi thuajse kuadratik në perëndim të tij dhe një hajat i hapur me pilastra kuadratike në anën Jugore. Narteksi dhe hajati janë shtuar për herë të parë gjatë rindërtimit të kishës./ KultPlus.com

Të ngjajshme